Barca fiton Superkupën e pestë të Europës, por sa vuajtje emocione e drithërima në 120 minutat e luajtura përballë Sevillas për të arritur te trofeu i 4-ët për këtë vit. Një ndeshje e cmendur e spektakolare me plot 9 gola të shënuar, 4-4 përfundoi koha e rregullt para se Pedro Rodrgiez të shënonte në shtesë golin vendimtar që i mundësoi skuadrës së Luis Enriques që të ngrinte në qeillin e Tbilisit në Boris Paichadze Arena Superkupën e Europës.
Një ndeshje fantastike, festival golash e futbolli nisi që në fillim me spektakël e befasi me Sevillan që shënoi që në minutën e 3 kur Ever Banega shënoi mjeshtërisht me një goditje dënimi. Gjithsesi nëse përmendet fjala mjeshtër nuk duhet harruar se në fushë ka dhe një fenomen Lionel Messi që nuk mund të lejojë një epitet më superlativ se i tiji për cdo kundërshtar dhe yllit të Barcelonës ju deshën vetëm 4 minua më vonë dhe një goditje standart për të barazuar shifrat në 1-1 me një supergol. Për t’ju treguar të gjithëve se ai gol nuk ishte një rastësi apo një tekë e momentit argjentinasi fantastik bëri bis me një tjetër gol fotokopje si ai pari në minutën e 15 për ti dhënë avantazhin Barcës. Në minutën e 44 shënoi dhe Rafinha i futur në formacionin titullar si surprizë kur aty pritej Pedro dhe për ti konfirmuar Enriques që ishte një zgjedhje e drejtë shfrytëzoi asistin e Luis Suarez për ta cuar Barcën me avantazhin 3-1 në dhomat e zhveshjes. Në fillimin e pjesës së dytë shënoi dhe uruguajani për të kompletuar një mbrëmje me të tre lojtarët e sulmit blaugrana në shenjë.
El Pistoleros i mjaftoi një asist i Sergio Busquets për të gjetur rrjetën në minutën e 52. 4-1 për Barcelonën por kush mendonte se kishte mbaruar aty gabohej pasi mbrëmja ishte një thriller i vërtetë me emocione të forta. Kështu andaluzët shkurtuan distancat në minutën e 57 kur Reyes shumë pranë portës bëri më të mirën në asistin e Vitolos dhe makthi i Barcës sapo kishte filluar pasi Jeremy Mathieu bëri një faull në zonë në minutën e 72, penallti për Sevillan dhe nga pika e bardhë Kevin Gameiro nuk gaboi për të rihapur sërish lojën. Befasia e madhe u kompletua në minutën e 81 me dy lojtarët e marë këtë verë nga Sevilla, asist i Cirio Immobile dhe gol i ukrainasit Konoplaynika. 4-4 e pabesueshme por e vërtetë, dhe gjithcka shkoi në shtesë, aty ku vendimtare ishte vula e Pedros. Goditje dënimi e Messit që u kthye nga muri ndoshta me dorë, Messi tentoi si rrallëherë me inat topi i devijuar u kthye nga portieri por sulmuesi që në merkato është mes Barcës e dy skuadrave të Manchesterit dhe u fut në lojë nga stoli ishte aty për të cuar në eufori Barcën dhe gjithë tifozët e saj. Superkupa është e Barcelonës por cfarë ndeshje përballë një Sevilla fantastike, prologu i një tjetër sezoni fenomenal në La Liga i tëri për tu ndjekur në SuperSport.