Dejtuesit e Skënderbeut janë vënë në “alarm”, pasi dje drejtuesit e klubit të Dinamos së Zagrebit kanë konfirmuar ardhjen e 700 tifozëve në stadiumin “Elbasan Arena” për ndeshjen me korçarët.
Një shifër e lartë, e pazakontë kjo për një skuadër mike në Shqipëri. Kjo shifër në fakt përputhet me atë që u takon tifozëve miq në stadiumin e Elbasanit, sipas përqindjes së kapacitetit të këtij stadiumi.
Diçka pozitive që vijnë kaq shumë tifozë, por nga ana tjetër duhet garantuar siguria në “Elbasan Arena” dhe kjo nuk është aspak e lehtë. 120 stjuartë siguroi në ndeshjen e fundit ndaj Milsamit presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, duke shpenzuar kështu rreth 10 milionë lekë.
Dhe në atë ndeshje gjithçka shkoi si jo më mirë, ndërsa tani ai ka vendosur të marrë plot 250 stjuartë, pra t’i dyfishojë, sepse nuk dëshiron të ketë asnjë problem me sigurinë, pavarësisht kostove financiare. UEFA, duke qenë se është një ndeshje “play-off”-i, kërkon masa të rrepta sigurie në “Elbasan Arena” dhe këtë gjë ia ka bërë të ditur edhe klubit “Skënderbeu”, shkruan sportekpres.
Presidenti Takaj prej disa ditësh ka ngritur një grup, që po punon enkas për mbarëvajtjen e ndeshjes së 19 gushtit. Ndaj Milsamit ishin në stadium 8200 tifozë, ndërkohë që tashmë interesimi është shumë herë më i madh.
Dinamoja e Zagrebit njihet për tifozërinë e saj të zjarrtë, ku spikat grupimi “BBB” apo “Bad Blue Boys”. Patjetër që ata 700 që do të vijnë në Elbasan do të jenë nga më fanatikët, ndaj dhe duhen menaxhuar sa më mirë.
Për të shmangur çdo moment të pakëndshëm, që mund të sjellë pasoja, klubi korçar do të rakordojë me atë kroat. Ky fakt bëhet me dije nga drejtuesit e Skënderbeut, të cilët do të kërkojnë që tifozët kroatë të paraqiten me kartën e Dinamos së Zagrebit në një sportel të veçantë për t’u pajisur më pas me biletë, në mënyrë që të mos përzihen me pjesën tjetër.
Konfirmimi i 700 tifozëve kroatë i ka vënë në lëvizje drejtuesit korçarë, që po përpiqen të marrin masat e duhura. /Telegrafi/