Keni një ndjesi të çuditshme në fund të stomakut tuaj se diçka nuk po shkon siç duhet, por nuk arrini ta kuptoni se me çfarë ka lidhje kjo ndjenjë.
Bashkëshorti/bashkëshortja juaj është bërë i largët, ai/ajo po rri deri vonë në punë, ose ikën nga shtëpia pa ndonjë shpjegim.
Dyshon se mund të jetë dikush tjetër në jetën e tij/saj, por sa herë që e hapni këtë muhabet me partnerin tuaj, ai/ajo e mohon kategorikisht.
I keni të gjitha shenjat, por nuk keni prova. Ndaj, kushtojuni vëmendje shenjave dhe instiktit. Por kujdes; mos ngatërroni shenjat me provat e vërteta të tradhtisë.
1- “Të dua, por nuk jam i/e dashuruar me ty”.
Nëse i dëgjon këto fjalë, duhet t’ju bien kambanat e alarmit. Kjo është një nga fjalitë më të zakonshme që ju thotë një bashkëshort tradhtar. Partneri mund të ketë një lidhje të thellë dashurie me ju, por ndjenjat intensive të pasionit e tejkalojnë lidhjen me ju, aq sa bashkëshorti/bashkëshortja juaj i “harron” ndenjat e vërteta. Tek partneri tradhëtar merr hov hormoni i pasionit; çka e shtyn atë drejt një “amnezie ndjenjash” ndaj bashkëshortit/bashkëshortes së vet.
2- “Jemi thjesht shokë”.
Kjo është një tjetër fjali tepër e parashikueshme që vjen nga goja e një tradhtari. Nëse bashkëshorti/bashkëshortja juaj kalon më shumë kohë me “mikun/mikeshën” e vet të re, atëherë bëhet fjalë për diçka më tepër se miqësia. Partneri juaj ndoshta ndihet se ka shumë të përbashkëta me këtë person, se ky person e kupton atë dhe situatën nëpër të cilën po kalon bashkëshorti/bashkëshortja juaj. Çfarëdo qofshin arsyet e kësaj miqësie, kjo është një shenjë paralajmëruese, nga që duhen marrë seriozisht.
3- Nevojë e papritur për privatësi.
Nëse gjërat të cilat zakonisht më parë i bënit hapur dhe bashkërisht, papritur bëhen private; bëni kujdes pasi në këtë mes ka diçka. Ai/ajo mund të nisë t’i vërë password kompjuterit, apo të ndryshojë passwordin e adresës së emailit, të cilën më parë ju e dinit. Gjithashtu partneri tradhtar nuk e lëshon për asnjë çast nga dora celularin e vet dhe e mban gjithnjë pranë. Nëse e pyesni apo tentoni të zbuloni informacione që më parë kanë qenë të përbashkëta mes ju të dysh, do të akuzoheni se po fusni hundët, po e zhbironi dhe po tentoni të kontrolloni partnerin tuaj. Kjo është një shenjë tepër alarmante!
4- “Kam nevojë për të kuptuar ndjenjat e mia”.
Bashkëshorti/bashkëshortja që është i përfshirë në një marrëdhënie tjetër, do të kërkojë më tepër hapësirë dhe kohë për ta kaluar vetëm, apo jashtë familjes. Mund të thonë se kjo kërkesë i dedikohet konfuzionit në ndjenjat e tyre, apo stresit në punë. Kjo mund të jetë një shenjë se ata kanë dikë tjetër, pasi po përpiqen të gjejnë mënyra për më shumë liri nga familja.
5- Ndryshimi i të përditshmes dhe orareve të punës.
Të punuarit deri vonë, të shkuarit në punë orar pa orar apo edhe përkushtimi i pajustifikuar ndaj punës mund të jenë shenja që bashkëshorti/bashkëshortja po ju tradhëton.
6- Qëndrimi për një kohë të gjatë në kompjuter.
Në botën e sotshme, me teknologjinë moderne, dikush që kërkon një lidhje jashtëmartesore, nuk ka fare nevojë të dalë nga shtëpia. Lehtësia me të cilën komunikojmë në dhomat e chatit, në uebsajtet apo forumet ku lihen takime; apo edhe adresat sekrete të emailit; kanë rritur në mënyrë drastike numrin e tradhtive bashkëshortore. Nëse bashkëshorti/bashkëshortja kalon më tepër kohë se zakonisht në internet, duke chatuar apo edhe thjesht viziton uebsajte pornografike, atëherë keni arsye të alarmoheni.
7- Telefonata sekrete dhe më shumë kohë e kaluar në telefon.
Lidhjet sentimentale jashtëmartesore nisin thuajse kryekëput nëpërmjet telefonit apo celularit. Nëse bashkëshorti/bashkëshortja e mbyll menjëherë telefonin apo celularin teksa ju hyni në dhomë, apo nëse fshin historinë e thirrjeve e mesazheve nga celulari i vet sapo ju e pyesni, duke u vendosur në pozita të forta mbrojtëse; atëherë ndoshta duhet të kontrolloni tabulatet telefonike.
8- Sjellje që nuk jua mbushin mendjen.
Ai/ajo nuk ndodhet në një vend të caktuar ku ka thënë se ndodhet. Nuk justifikojnë kohën që kalojën jashtë shtëpisë. Lekë të pallogaritura më parë. Fatura për sende apo shërbime për të cilat nuk keni dijeni. Rroba që mungojnë në shtëpi. Rroba që nuk janë të familjes suaj. Gënjeshtra të vogla për detaje të ndryshme gjatë ditës.
Shenja të tjera të ndryshimit të sjelljes:
– Partneri juaj nis të merakoset për pamjen e vet të jashtme.
– Nis të bëjë palestër, megjithëse nuk ka kiliogramë për të humbur.
– Ka ndryshime në sjelljen seksuale (i humb interesi seksual ndaj jush, përdor truke të reja gjatë seksit të cilat më parë nuk ia dinit).
– Partneri juaj është bërë tepër gjaknxehtë (tashmë ziheni edhe pa ndonjë argument).
– Miqtë e partnerit/partneres suaj sillen çuditshëm.
9- Vetë shqetësimet dhe dyshimet tuaja.
Nëse e kapni veten duke justifikuar sjelljen e partnerit, apo duke e bindur veten se partneri kurrsesi nuk mund t’ju tradhtojë; atëherë kjo është një shenjë shqetësuese. Intuita dhe përshtypjet tuaja janë zakonisht treguesit më të mirë se diçka nuk shkon siç duhet. Nëse dyshon se partneri ju tradhton, bëni disa investigime dhe pastaj flisni me të rreth atyre që keni arritur të zbuloni. Flisni me të në mënyrë të sjellshme dhe qetë. Kërkojini ndershmëri. Jini të përgatitur për gënjeshtra. Është i trishtë fakti që njerëzit që tradhtojnë bëhen gënjeshtarë të shkëlqyer. Njerëz të cilët ndoshta nuk kanë thënë kurrë një gënjeshtër në jetën e tyre. Besojini instiktit tuaj, por gjithashtu siguroni prova të forta e të pakundërshtueshme.
/k/