Ka një derbi anglez mes Manchester United dhe Manchester City-t për sulmuesim e Barcelonës, Pedro. Në momentin kur pritej zyrtarizimi i marrëveshjes me Djajtë e Kuq për shërbimet e 28-vjecarit, vjen ndërhyrja e Citizens, që kanë nisur kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit dhe me klubin katalanas. Pas largimit të Edin Dzekos drejt Romës, Manuel Pellegrini ka si prioritet blerjen e një sulmuesi me karakteristikat e Pedros. Problemet shëndetësore të Neymar, i cili është diagnostikuar me shytat, e kanë bllokuar përkohësisht shitjen e Pedros, të cilin Enrique dëshiron ta ketë në dispozicion të paktën për Superkupën e Europës dhe për përballjen e dyfishtë me Bilbaon në Superkupën e Spanjës. Nëse do të merrej mendimi i asturianit, Pedro nuk do të largohej nga “Camp Nou”. Topi është në fushën e sulmuesit, i cili ka të drejtën të zgjedhë nëse do ta aplikojë klauzolën e largimit që kap shifrën e 30 milionë Eurove.
Pedro ishte i vendosur për t’u larguar te Manchester United, por me ndërhyrjen e City-t, që ofron më shumë para, situata mund të ndryshojë. Louis Van Gaal shpresonte ta ulte cmimin e kartonit të futbollistit, duke shfrytëzuar dëshirën e Pedros për t’u larguar nga Barcelona, me ndërhyrjen e City-t, Barca nuk e shet sulmuesin për më pak se 30 milionë Euro.