Rossi: Beteja për titullin e Moto GP do të jetë e ashpër

E publikuar: 07/08/2015 13:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Motorët e Moto GP rikthehen në pista pas pushimeve të shkurtra verore gjatë të cilave Valentino Rossi ka arritur të rikuperojë energjitë e nevojshme për të mbrojtur vendin e parë të klasifikimit. 9 herë kampioni i botës e pranon se tashmë situata bëhet serioze dhe çdo pikë është jetike.

“Jemi të gjithë shumë të shpejtë dhe nuk do të jetë aspak e lehtë. Indianapolis është një pistë që më pëlqen edhe pse këtu Honda është shumë e shpejtë. Ne jemi rritur gjatë javëve të fundit dhe unë personalisht do të jap maksimumin. Kushtet e motit do të jenë vendimtare por unë shpresoj në një pistë të thatë”.

Marquez për “doktorin” është një pengesë më shumë në betejën që ai ka me Lorenzon dhe italiani e pranon se kampioni i botës në fuqi mund të futet në vallen e titullit.

“Mendoj se Marquez është rikthyer në garë edhe pse në fillim të sezonit pati disa momente negative për shkak të problemeve me motorin. Unë kam një diferencë të madhe pikësh me të por ka ende edhe 9 gara deri në fund”.

Lufta për titullin te Rossi e rrit shumë adrenalinën por ai beson se duhet të tregohet i vendosur për të shkuar drejt suksesit.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem mes kandidatëve në garën për titullin sepse nuk arrij ta fitoj që prej vitit 2009. Kam kaluar momente të këqija, dëmtime dhe një aventurë jo shumë të bukur me Ducatin. Hap pas hapi jam rritur me Ducatin. Gjithsesi, nëse fitoj titullin e dhjetë nuk do të jetë më i rëndësishmi në karrierën time sepse në kujtesë më ka mbetur ai i vitit 2001 por edhe ai i vitit 2004 në sezonin e parë më Yamahan”