Kukësi e ka mbyllur aventurën në Europë me humbje. Nënkampionët e Shqipërisë pas humbjes në tavolinë të ndeshjes së parë, ata janë mposhtur edhe në ndeshjen e dytë në Poloni nga Legia me rezultat minimal 1-0.
Pavarësisht se në minutat e para u munduan të ushtrojnë presion mbi polakët, skuadra shqiptare nuk arriti të rrezikojë asnjëherë seriozisht portën e vendasve.
Pjesa e parë u mbyll me rezultat 0-0, me rastin më të mirë për mesfushorin Duda, i cili në të 42-n depërtoi bukur mes mbrojtësve kuksianë dhe futet brenda zonës, por gjuajtjen e tij e ndali Koçi.
Me të filluar pjesa e dytë, saktësisht në minutën e 47, Legia gjen golin me Kucharczyk. Sulmuesi i skuadrës polake arriti të mposht portierin kuksian pas asistimit të Dudas.
Pas golit të pësuar, Kukësi u dorëzua duke bërë që Legia të administrojë ndeshjen deri në vërshëllimën e fundit. Vendasit deri në fund kishin edhe dy raste të mira me Prijoviç dhe Furman, por topi përfundoi jashtë.
/ Top Channel