Francë, Lorik Cana mes më të mirëve të shek. XXI

E publikuar: 04/08/2015 22:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lorik Cana Lazio, Auronzo di Cadore (Belluno) 21/7/2013 Football Calcio 2013/2014 Serie A SS Lazio Vs Top 11 Cadore Amichevole Friendly Match Ritiro precampionato SS Lazio Foto Marco Bertorello Insidefoto

Një idhull për tifozët, jo vetëm në Kombëtare, por në të gjitha klubet ku ka milituar. Një futbollist që ka lënë gjurmë kudo ku ka shkelur. Mbi të gjitha në Ligue 1 franceze, ku spikati me fanelën e Marseille.

Një luftëtar që bëri për vete fansat në “Velodrome”, por edhe kudo. Aq shumë i dashur, saqë është përfshirë mes 100 futbollistëve më të mirë në Francë të shekullit XXI. Vlerësimi vjen në listën e publikuar nga emitenti francez i “Eurosport”. Një renditje e hartuar në bazë të sondazhit të tifozëve. Dhe sipas fanatikëve të futbollit, Cana është pozicionuar i 81-ti.

Historia e kapitenit të Shqipërisë është e jashtëzakonshme. “Siguroi ‘paqe’ mes Paris Saint Germain dhe Marseille; kjo nuk është pak. Ky është rasti i Lorik Canës. E nisi karrierën me PSG dhe u bë kapiten i Marseille. Kjo është diçka e rallë. Cana është një prej tyre”, shkruante “Eurosport.fr”.

Faqja prestigjoze vlerëson maksimalisht shpirtin e garës, për të cilin 32-vjeçari spikat në fushë. “Është në gjendje të lejë jetën në fushë. Fatkeqësisht, nuk e shijoi titullin kampion në Francë, edhe pse i shkoi tre herë pranë. Është mëkat që emri i tij nuk figuron mes kampionëve të Ligue 1”, theksohej në pjesën e dedikuar për mbrojtësin kuqezi. Mes të tjerave emitenti francez i “Eurosport” shkruante se “goli i Canës në ‘Velodrom’ në fitoren 1-0 kundër PSG-së, pas tri vjetësh si rival i parizienëve, nuk do të harrohet kurrë”./ss/