Kosova ka burgun e Dubravës, atë të Sigurisë së lartë, qendrën korrektuese në Lipjan, qendrën e paraburgimit në Prizren, në Prishtinë, në Gjilan, në Pejë e Mitrovicë, por nuk ka një njësi spitalore që do të ofronte shërbimet e përafërta më spitalet rajonale. Nëpër këto qendra ofrohen vetëm shërbime ambulantore. Të burgosurit shpesh dërgohen në spitalet rajonale ose QKUK.
Kështu, ata që synojnë ikjen. Dërgimi në ndonjërin nga spitalet bëhet “mundësia më e mirë” për t’i dhënë fund qëndrimit brenda. Megjithatë, nuk ka plan për krijimin e ndonjë njësie spitalore në ndonjërin nga burgjet, që në një mënyrë do të iu pamundësonte ikjen të burgosurve që pretendojnë një gjë të tillë.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se një projekt i tillë nuk ka as leverdi ekonomike, e as mundësi të mbajtjes kualitative të një spitali me specialist të të gjitha fushave. Ndërsa, në Shërbimin Korrektues të Kosovës nuk flasin për këtë gjë.
Kurse, në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të njeriut (KLMDNj) e shohin si të domosdoshëm një spital të tillë. Sipas tyre, zgjidhja e problemit të ikjes do të ishte vetëm krijimi i një njësie të tillë.
Kryetari i KLMDNj, Behxhet Shala mendon çdo vonesë për themelimin e një spit ali të tillë shkon në rritje të numrit të atyre që ikin dhe në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të të burgosurve.
“Njësia spitalore në kuadër të SHKK të ndërtohet sam ë parë që është e mundur, kam mundësi edhe ka objekte, por ka edhe mjete materiale, kështu që çdo vonesë do të ndikonte edhe në përkeqësim të gjendjes shëndetësore te të burgosurve, do të rritje numri i atyre të cilët do të bëjnë përpjeke të ikin dhe do të ikin, dhje do të vazhdojë diskriminimi për të burgosurit në bazë të statutit që e kanë.
Shala mendon se ka hapësirë të mjaftueshme për krijimin e një spitali të tillë. Këtu ai përmend burgun e sigurisë së lartë në Dyz, përkatësisht pjesën e paraburgimit, që sipas tij është i panevojshëm.
A i mendon që me pak investime aty do të krijoheshin kapacitetet, pasi që aty edhe është një pjesë që i ngjan spitalit. Sipas tij, aty do të ofroheshin shërbime për së paku 100 të burgosur, dhe kështu nuk do të kishte më probleme me siguri pasi që ai burg është i sigurisë së lartë.
Si mundësi tjetër, Shala e sheh qendrën e paraburgimit në Lipjan, që sipas tij ka hapësirë të mjaftueshme të shndërrohet në një qendër spitalore. E të paraburgosurit, thotë të dërgohen në Hajvali ose Gjilan.
Që nga viti 2013, përmes një memorandum mirëkuptimi, është bërë transferi i plotë i të gjitha shërbimeve shëndetësore nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Shëndetësisë. Tani shërbimet shëndetësore në burgje menaxhohen nga MSh, përmes Departamentit përkatës së Drejtorisë së shërbimeve të Burgjeve.
Udhëheqësi i këtij departamenti në ShKK , Milazim Gjiocaj, thotë për KosovaPress se nuk ka ndonjë plan a indikacion për krijimin e ndonjë spitali eventual në burgje.
“Sa i përket Spitalit eventual ne burgje, nuk ka ndonjë plan dhe nuk ka ndonjë indikacion për një gjë të tillë duke pasur parasysh, specifikat që ka një spital. Spitali për vetëm 1500 të burgosur, e të cilët nuk janë të sëmurë të gjithë, duke pasur parasysh se brenda një viti hospitalizohen rreth 100 të burgosur në spitale civile (për 13 vite 1291 hospitalizime në të gjitha spitalet e Kosovës, nuk ka as leverdi ekonomike, e as mundësi të ekzistimit të një spitali të tillë, e as mundësi të mbajtjes kualitative të një spitali me specialist të të gjitha fushave që kërkon një spital, kjo gjë është e pa mundur dhe e pa realizueshme. Kosova edhe ashtu është e vogël për të pasur më shumë spitale”, ka thënë Gjocaj përmes postës elektronike.
Kurse, në KLMDNj thonë se derisa të mirret një vendim për themelimin e një njësie spi talore, do të ishte mirë që në QKUK të ndahen pesë ose gjashtë dhoma të veçanta ku do të vendoseshin rastet emergjente për të burgosurit që kanë nevojë për trajtim.
Për këtë, në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se qysh në vitin 2013 është nënshkruar MM mes QKUK-së dhe ShKK, ku QKUK ka ndarë hapësirën për dhoma të sigurta për të burgosurit ku është paraparë që ShKK të bëjë adoptimin e hapësirës. Sipas drejtorit Gjocaj, kjo nuk ka ndodhë asnjëherë.
“Sa i përket dhomave të sigurta në QKUK, kjo çështje është ngritur vite me parë, madje me 13.03.2013, është nënshkruar MM në mes të QKUK dhe ShKK për hapësirat e destinuara për dhoma të sigurta për burgje. QKUK ka ndarë hapësirën dhe ka ofruar projektin për shërbime adekuate te nevojshme, ndërsa ShKK ka bërë projektin dhje ka qenë e paraparë që të bëjë adoptimin e hapësirës për nevoja të veta, gjë e cila nuk ka ndodhur që nga atëherë”, ka thënë Gjocaj.
Edhe deputetja nga radhët e Aleancës për ardhmërinë e Kosovës, që është anëtare e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj mendon se do të ishte i mirë investimi për një spital të tillë. Mirëpo, sipas saj kjo kërkon një kosto mjaftë të lartë.
“Nuk kish qenë asgjë e keqe nëse qeveria kish pas me investu që bile me qenë një spital i përgjithshëm, bile bile dhe për shërbime të kirurgjisë, ose raste të lehta të trajtohen brenda institucioneve shëndetësore që ekziston në burgun e Dubravës. Mirëpo e gjithë kjo ka një kosto, sepse nevojitet riparim, nevojitet edhe investimi në sallë kirurgjike, mirëpo edhe trajtimi dhe specializimi i mjekëve në lëmit të cilat kishin dëshirua që me u hap”, thotë ajo.
Megjithatë, KLMDN j mendon se ka mundësi materiale e ka edhe objekte për një projekt të tillë.
Behxhet Shala mendon janë të tepërta të gjitha e ndalimit, paraburgimit dhe ato korrektuese, derisa nuk ka një spital të përgjithshëm për të burgosurit.
“E shohim si të domosdoshëm të ndërtohet një qendër spitalore për të gjitha burgjet e Kosovës dhe aty të punësohen punëtorët e të gjitha profileve….. Kjo në masë të madhe do të pamundësonte dikën që ta keqpërdor një shërbim mjekësor dhe të ikë. Pastaj të gjithë e dijmë që ka shumë afera te të burgosurve të fuqishëm që kanë një krah të fortë, kanë para, ata nuk e kanë problem për të shkuar për shërim qoftë në spital qoftë në QKU, janë në gjendje t’i bëjnë 100 letra për të dëshmuar që janë të sëmurë”, thotë ai.
Rasti i fundit në të cilin spitali u përdorë për ikje ishte në qershor të këtij viti. Nga spitali rajonal i Pejës u arratis një i dënuar me 14 vite burgim. I dënuari për veprën penale të vrasjes së rëndë u arratis nga tualeti i njërit nga repartet e spitalit të Pejës./express/