87 ekipe mobile do t’u mundësojnë votim të infektuarve me COVID-19

E publikuar: 13/10/2021 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, njoftoi se kanë arritur marrëveshje me Komisionin Shtetëror të Maqedonisë së Veriut që t’u mundësohet votimi në të dyja shtetet qytetarëve që kanë dyshtetësi, pra atë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, marr parasysh se zgjedhjet do mbahen në të njëjtën ditë edhe atje.

Kjo sipas tij do të arrihet pasi Maqedonia e Veriut do t’i identifikojë me sistem elektronik qytetarët që kanë shtetësi edhe kosovare, pra nuk do të përdoret spreji si në Kosovë, dhe kjo i jep mundësi atyre që të votojnë edhe tek ne.

Përveç kësaj, Ahmetaj njoftoi se nuk kanë ndonjë vendim që nga votuesit në qendrat e votimit të kërkohen dëshmi të vaksinës ose të testeve për COVID-19, por që kjo vlen vetëm për trupat zgjedhore që do të punojnë në ditën e zgjedhjeve,transmeton KlanKosova.

“Menaxheri duhet t’i kontrollojë në secilën hyrje në mënyrë që t’u lejohet qasja dhe puna në qendër të votimit vetëm trupave zgjedhore që do t’i ofrojnë njërën prej kritereve, si dëshmia e marrjes së vaksinës, testin PCR, atë që dëshmon se e ka kaluar COVID-in në 6 muajt e fundit, etj.”.

“KQZ ka komunikuar me policinë dhe kemi kërkuar leje për të gjithë trupat zgjedhorë që posedojnë ID të KQZ-së të mund të qarkullojnë lirshëm dhe kjo kërkesë është miratuar nga dhoma operative e policisë”.

Në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur edhe që në ditën e zgjedhjeve është menduar edhe për personat që mund të jenë të prekur me COVID-19 dhe që duan të votojnë, duke i organizuar 87 ekipe mobile përmes të cilëve do t’u mundësohet votimi edhe të infektuarve.

Ahmeti kërkoi edhe miratim nga KQZ-ja që për shkak të situatës pandemike, në ditën e zgjedhjeve të lejohet vetëm një vëzhgues nga një subjekt politik në secilin vendvotim dhe të njëjtit të mund të ndërrohen vazhdimisht, por që të lejohet prania e vetëm njërit prej tyre në të njëjtën kohë.

Po ashtu pas diskutimeve në këtë mbledhje, pjesëmarrësit u pajtuan që t’i drejtohen Qeverisë së Kosovës me një shkresë zyrtare që të pezullohet ora policore për 48 orë në mënyrë që mbarëvajtja e zgjedhjeve të mos ketë ndonjë pengesë.