E publikuar: 17/04/2015 17:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Gjilanit ka nënshkruar sot një marrëveshje tejet të rëndësishme bashkëpunimi me USAID-in amerikan, i cili fokusohet në mbështetjen e Komunës, kryetarit dhe ekipit të tij në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Gjilanit.
Aktin e nënshkrimit e ka bërë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope.
Kryetari Haziri ka falënderuar me këtë rast USAID-in për ndihmën e dhënë për 16 vjet radhazi për komunën e Gjilanit, duke ua përmirësuar jetën qytetarëve.
“E falënderoj drejtorin James Hope për ardhjen sot në Gjilan. Sot së bashku me kryesuesen, nënkryetarin dhe anëtarët tjerë, kemi formalizuar partneritetin tonë me USAID-in. E falënderoj USAID-in për mbështetjen 16-vjeçare që ia ka dhënë Gjilanit dhe, natyrisht, për partneritetin e konfirmuar që në programet tona të përbashkëta të vazhdojmë të punojmë dhe të ndërtojmë partneritet në interes të qytetarëve. Përfitues të vetëm të këtij programi janë qytetarët e Gjilanit”, është shprehur pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Nga ana e tij, drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se për 16 vite janë investuar në Gjilan afro 4 milionë dollarë nga taksapaguesit amerikan, duke thënë se bashkëpunimi me Komunën do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jem në Gjilan për herë të parë dhe, ashtu si tha kryetari, ky është akt formalizimi në emër të programit tonë Avancojmë Kosovën së Bashku. Ky program yni fokusohet në mbështetjen e Komunës, kryetarit dhe ekipit të tij në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Gjilanit. Puna jonë këtu në Gjilan ka një rëndësi të madhe sepse ne kemi qenë partner për 16 vite dhe për gjatë kësaj kohe afër 4 milionë dollarë janë shpenzuar për të përmirësuar infrastrukturën, biznesin dhe arsimin në komunën e Gjilanit. Ne presim që me shumë dëshirë të kemi bashkëpunim të mirë gjatë viteve të ardhshme, ne çmojmë shumë aktivitetet prirëse që i bën kryetari i Komunës në zhvillimin e Gjilanit. Kemi një punë të madhe të bëjmë së bashku”, tha Hope.