Gjilani i gatshëm për të vazhduar ndryshimin më 17 tetor

E publikuar: 23/09/2021 23:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot, për vizitë në Gjilan ishte kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e kryeministri i Republikës Albin Kurti. Në tri takime që mbajtëm, me gratë, të rinjtë dhe qytetarë e struktura tona, dominonte fryma për vazhdimësinë e ndryshimit më 17 tetor, pas ndryshimit të madh të 14 shkurtit.

Në fjalën time potencova që lista jonë për asamble ka gjithëpërfshirje si nga mosha, si nga gjinia e si nga profesioni. Kjo listë për asamble do të jetë zëri i juaj i së ardhmes e do të mbrojë interesat tuaja dhe do të garantojë që qeverisja jonë do të jetë e mirë, e ndershme dhe profesionale.
Përbrenda programit tonë për qeverisje pas 17 tetorit, ne jemi zotuar për ndryshime rrënjësore në arsim, ekonomi, shëndetësi, administratë publike e kështu me radhë.
Është e rëndësishme që bashkëpunimi ynë e takimet tona të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve, sepse jemi zotuar që ndryshimin do ta sjellim vetëm në bashkëpunim me qytetarin e në bashkëpunim me komunitetin.
Ashtu siç ka ndodhur ndryshimi më 14 shkurt, ku falë popullit kemi arritur ndryshimin e madh e fitoren e madhe, ashtu duhet të ndodh edhe më 17 tetor.

Jeni ju gjithmonë ata promotori i ndryshimit dhe garanca që ne do të jemi në qeverisje, për të kthyer qeverisjen te qytetari.

Kryeministri Albin Kurti ndër të tjera tha që është koha e fundit që ndryshimet në Republikë, të jenë edhe ndryshime në Gjilan. Ndryshimi në Gjilan nuk duhet të ndodhë për inati të ndokujt, por për hir të vetes tonë, veçse ajo që është e vjetëruar e e tejkaluar, nuk ka pse të vazhdoj më.

Gjilani është lënë mbrapa nga qeverisjet e pasluftës dhe pushtetet komunale, prandaj këtë gjë duhet ta korrigjojmë. Për neve është e rëndësishme që të kemi një pushtet demokratik në Gjilan, ku krijohet një kulturë e re e qeverisjes në administratë dhe njëkohësisht një raport i ri me qytetarin, të cilit gjithmonë duhet t’i shërbejë qeverisja.

Kemi plane e kemi zotime dhe gjithashtu do të udhëheqim me njerëz të pakorruptuar e të pakorruptueshëm.

Bashkë qeverisim, për Gjilanin.