Kurti: Protesta do të përsëritet në rast se cenohet territori i Kosovës

E publikuar: 27/01/2019 10:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në mbledhjen e XXXVI-të Këshillit të Përgjithshëm, ka thënë se partitë në pushtet e kanë mbushur Telekomin e Kosovës me punëtorë pa nevojë, vetëm për të siguruar vota. Ka shtuar se si pasojë e privatizimit, po bën që pjesa më e madhe e territorit të mbetet pa rrymë.

Kurti teksa ka përmendur protestën e 29 shtatorit të vitit të kaluar, ka thënë se protesta do të përsëritet në rast se cenohet territori i Kosovës, transmeton Koha.net.

“Presidenti Thaçi me njerëzit e tij po këmbëngulin në pazaret me territor, le ta dinë se nëse përpiqen të na vendosin para aktit të kryer me ndonjë marrëveshje që prek territorin e Kosovës, protesta jo vetëm që do të përsëritet por do të jetë edhe më e madhe”, ka deklaruar Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes në mbledhjen e Këshillit të Përgjithësim të kësaj partie ka kritikuar qeverisjen e Ramush Haradinajt. Duke përmendur grevën e mësimdhënësve dhe privatizimin e Telekomit, ai ka thënë se qeverisja aktuale vetëm është duke e keqësuar gjendjen ekonomike e sociale në Kosovë.

E problemet me rrymë, Kurti ka thënë se po vinë si pasojë e privatizimit të kompanive.

“Ka qenë pikërisht mendësia dhe ideologjia e privatizimit që i solli këto probleme kur pjesë të mëdha të territorit dhe popullsisë mbetën pa rrymë sepse kompania private që duhet të investojë në rrjetin e shpërndarjes nuk e bën këtë, por vetëm vjel të ardhura e fitime që i dërgon jashtë vendit”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu ka thënë se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës humbi 85 milionë euro vitin e kaluar për shkak të keqqeverisjes.

“Për shkak të keqinvestimit i kemi humbur paratë me të cilat do të mund të ishin dyfishuar pagat e mësuesve dhe mjekëve. Pse ndodh kjo? Sigurisht për shkak të keqqeverisjes dhe drejtimit të gabuar politik”, ka thënë Kurti.

Ai është zotuar se me ardhjen e VV-së në pushtet, mësuesit, mjekët e punëtorët e administratave publike do të kenë paga meritore.

Kurti ka akuzuar partitë në pushtet se po e vjedhin Telekomin e Kosovës.

“Tash ata po përpiqen ta privatizojnë Telekomin e Kosovës, një ndërmarrje e cila vazhdimisht del me fitim po të mos ishte duke u vjedhur prej partive në pushtet e kontratave të dëmshme sikurse ajo me Zmobile”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përsëritur se synim i Vetëvendosjes do të vazhdojë të jetë edhe eliminimi i pabarazisë në vend.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.