​OAK kërkon shtyrjen e afatit për aplikim për investime strategjike

E publikuar: 24/12/2020 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oda e Afarizmit të Kosovës i është drejtuar me kërkesë konkrete kryeministrit, ministrave dhe Këshillit Kombëtar për Investime Strategjike, për shtyrjen e afatit ligjor të përcaktuar me Ligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës.

Në një komunikatë për media thuhet se afati për aplikim në Ligjin për Investime Strategjike skadon më 31.12.2020, ndërkohë që OAK ka kërkuar ndryshim-plotësimin e këtij ligji dhe shtyrjen e afatit ligjor deri më 31 dhjetor 2023, me qëllim që t’iu mundësohet subjekteve investuese të paraqesin kërkesat e tyre për përfshirje në procedurat për përfitimin e statusit investim strategjik.

OAK konsideron se me shtyrjen e këtij afati ligjor, do të jetësohet edhe vetë qëllimi i nxjerrjes së këtij ligji, i cili është nxitja, tërheqja dhe krijimi i kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Kosovë, veçanërisht në këtë kohë kur këto investime janë shumë të nevojshme.

OAK kërkon gjithashtu që të gjithë ata që kanë aplikuar deri më tani të trajtohen sa më shpejt nga ana e KIESA-së, komisionit ndërministror dhe Qeverisë, sepse edhe pse janë mbi 30 aplikime nga viti 2017-të kur ka hyrë ky ligj në fuqi, deri më tani kanë kaluar vetëm dy investitorë.