Zyrtare: Solskjaer trajner i Unitedit

E publikuar: 19/12/2018 11:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Manchester United ka emëruar trajnerin e ri pas shkarkimit të Jose Mourinhos.

Ole Gunnar Solskjaer ka pranuar ofertën e ish-skuadrës për ta drejtuar deri në fund të sezonit.

Kështu ka bërë të ditur ueb-faqja e klubit anglez duke i uruar punë të mbarë në vazhdim të kampionatit.

“Manchester United është në zemrën time dhe është e shkëlqyer të kthehem në këtë rol. Me të vërtetë mezi po pres që të punoj me skuadrën shumë të talentuar, stafin dhe të gjithë në klub”, tha Solskjaer.

Ed Woodward, shefi i ekzekutiv i ekipit ka pohuar se “Ole është një legjendë e klubit me përvojë të madhe, si në fushë, ashtu edhe në rolin e trajnerit. Historia e tij në Manchester United do të thotë se jeton dhe merr frymë me kulturën tonë. Të gjithë në klub janë të kënaqur që u kthye. Ne jemi të bindur se do t’i bashkoj lojtarët dhe tifozët”.

Kujtojmë se norvegjezi sa ishte lojtar i Unitedit ka shënuar 126 gola në 366 paraqitje midis 1996 dhe 2007.

Në vitin 2008, ishte menaxher i ekipit rezervë të klubit, përpara se të merrte rolin e menaxherit në FC Molde në Norvegji. /Telegrafi/