Zvogëlimi i ministrive përplas partnerët e koalicionit

E publikuar: 03/10/2016 14:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kërkesa e një pjesë të faktorit ndërkombëtar për riformatim të koalicionit qeveritar, i cili nënkupton edhe shkurtimin e disa ministrive është bërë shkas qe partnerët e koalicionit qeveritar PDK dhe LDK të mos gjejnë gjuhë të përbashkët përkitazi me këtë proces. 

Burime të Indeksonline brenda kabinetit qeveritar bëjnë me dije se në takimet e deritashme mes zyrtarëve të këtyre dy partive nuk është arritur një ujdi për shkurtimin e disa ministrive, për të cilin po insiston faktori ndërkombëtar.

“Ka pasur disa propozime nga ana e dy partive, por qe nuk është arritur pajtueshmëri. As riformatizimi dhe as shuarja e ministrive nuk pritet të ndodhë para përfundimit të çështjes se demarkacionit”, ka thënë ky burim për Indeksonline.

E në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës, mohojnë se për këtë proces nuk po gjejnë gjuhe të përbashkët dy partitë më të mëdha në vend.

Në një prononcim për Indeksonline, këshilltari politik i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu, ka thënë se ky proces tashmë ka nisur dhe nuk bëhet fjalë për papajtueshmëri mes partnerëve.

“Nuk është e vërtete se ne nuk po gjejmë gjuhe të përbashkët për të bërë ndryshime. Ekziston vullnet i mirë edhe justifikim i mjaftueshëm për të bërë  ndryshime. Çfarë ndryshime konkretisht nuk mund ta them sepse janë në zhvillim e sipër.”, ka thënë këshilltari politik i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullhu.

I pyetur nëse ky proces do të kryhet para procedimit të marrëveshjes për demarkacion në Kuvend, Abdullahu ka thënë se asnjëra prej këtyre temave nuk është e precizuar në kohë se cila do të jetë më herët e cila më pas.

“Është në rrjedhë e sipër dhe nuk mund ë themi kohën e saktë dhe nuk mund ta dimë se cilat ministri do të shuhen. Gjithsesi se do të ketë shkurtime”, ka shtuar Abdullahu.

Indeksonline ka provuar të marrë edhe qëndrimin e zyrtarëve të PDK-ë, por ata nuk i janë përgjigjur interesimit tonë.

Aktualisht kabineti qeveritar përbëhet nga 19 ministri. Më herët është raportuar se ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të shkrihet dhe të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Ministria e Integrimeve Evropiane, është diskutuar të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme sikurse edhe ajo e Diasporës. Ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në atë të Infrastrukturës.

Në takimin e fundit mes kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe ambasadorit amerikan, Greig Delaëie është diskutuar pikërisht çështja e riformatimit të Qeverisë.