Vuçiqin e nervozon platforma e Hotit për dialogun: Mos të niset fare për Washington

E publikuar: 17/06/2020 15:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, në mënyrë rapide është involuar në procesin e negociatave me Serbinë, duke hartuar një platformë sipas të cilës integriteti territorial dhe rendi shtetëror e kushtetues i Republikës së Kosovës në asjnë mënyrë nuk mund të jenë pjesë e tryezës së dialogut.

Lidhur me këtë platformë për të cilën Hoti thotë se do të jetë edhe bazë mbi të cilën do të bisedohet në Washington për arritjen e një marrëveshje me Serbinë, ka reaguar kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq.

“Të gjitha pesë kushtet e Hotit janë të papranueshme për Serbinë. As Hoti as Thaçi nuk duhet të vijnë në negociata me një platformë të tillë”, ka thënë Vuçiq, shkruan RTS, transmeton Gazeta Express.

Për kreun e shtetit serb janë të papranueshme kërkesat e kryeministrit Hoti për anëtarësimin e Kosovës në Bashkim Evropian, Kombe të Bashkuara dhe anulimi të rezolutës 1244 për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Nëse kjo është një platformë me të cilën Hoti ose Thaçi vijnë diku për bisedime, është më mirë që të mos vijnë fare, dhe nuk më intereson se kush do të vijë prej tyre në Washington. Kjo është gjithçka që dua t’iu them”, ka shtuar tutje Vuçiq.

Derisa ka shtuar se çështja e njohjes së Kosovës nuk do të jetë fare temë diskutimi gjatë takimit të 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.