Veseli paralajmëron kandidaturën për kryeministër të Kosovës

E publikuar: 24/02/2017 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar se në fund të muajit do të kërkojë nga Partia e tij që t’i japë mbështetje për, siç ka thënë ai, “platformën” për Kosovën. Kreu aktual i Parlamentit kohë pas kohe ka përsëritur se vendi mund të shkojë në zgjedhje me marrëveshje politike edhe para përfundimit të mandatit, por në mënyrë kaq direkte asnjëherë nuk ka artikuluar ambicien e tij për të udhëhequr me Qeverinë e Kosovës
Veseli ka thënë se në fund të muajit të ardhshëm, ai do të dalë para lidershipit të PDK-së dhe do të kërkojë mbështetje për platformën e tij – planin e tij për Kosovën.

“Kjo nuk është një detyrë e vogël dhe unë e marr atë shumë seriozisht si kryetar i PDK-së dhe kryetar i Kuvendit”, ka thënë ai.

Kadri Veseli do të dalë me turne dëgjimore para Konventës më 25 mars.

“Për një kohë shumë të gjatë, politikanët kanë dëgjuar njëri-tjetrin. Si kryetar i Kuvendit, unë e di se çfarë mendojnë pjesëtarët e tjerë të Kuvendit. E di se çfarë ata duan që qeveria të bëjë për ata”, ka thënë ai, duke potencuar se “nuk është fjala këtu për politikanët – fjala është për ju – qytetarët e Kosovës”.

“Kjo është arsyeja pse ju mund të keni vënë re se unë kam bërë vizita gjithandej vendit javët e fundit – për t’i dëgjuar qytetarët. Dua të jem i qartë – Kam filluar një turne dëgjimor, sepse unë dua t’i dëgjoj qytetarët drejtpërdrejt – të dëgjoj drejtpërdrejt shqetësimet tuaja, të mësoj për jetën tuaj, dhe të kuptoj se si qeveria mund të punojë më mirë për ju.

Vetëm duke dëgjuar, para se gjithash, njerëzit – të gjithë njerëzit në mbarë vendin – do të mund të krijojmë një platformë, të marrim masa veprimi, ta çojmë Kosovën përpara.

Prandaj, në fshatin Greme të Ferizajt u takova me pronarë të bizneseve të vogla të industrisë së drurit. Në Prishtinë takova të rinj që punojnë në teknologjinë e lartë. Në Mitrovicë kam takuar mjekë dhe sot në Prizren do të takohem me profesorë. Unë do ta vazhdoj këtë turne në të gjithë vendin për t’i dëgjuar njerëzit. Pas një muaji, ne do të takohemi sërish në konventën e Partisë Demokratike të Kosovës. Atje do t’i prezantoj ato që kam mësuar nga qytetarët tanë dhe do të ndaj me partinë tonë platformën për ta çuar Kosovën përpara”, ka thënë kryetari i PDK-së dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. /GazetaExpress/