Veseli: Burrat që ushtrojnë dhunë ndaj femrës janë qyqarë

E publikuar: 25/11/2015 14:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, kreu i Kuvendit të Kosovës ka thënë se çfarëdo dhune e ushtruar ndaj gruas e cenon qelizën themeltare të familjes.
Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës kundër gruas në Kosovë, është para së gjithash ditë e homazhit për nënat dhe vajzat e shoqërisë sonë, që janë viktima të dhunës në familje. Njëkohësisht, është ditë e turpit, për të gjithë ata bashkëshortë e familjarë që ushtrojnë dhunë në emër të zakoneve të mykura të së kaluarës.

Veseli këtë e tha në Kuvend në hapjen e fushatës së 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore.

“Vetëm në 5 vitet e fundit, kemi afër 6.000 raste të raportuara të dhunës në familje. Kush e di sa të tjera janë që nuk raportohen fare. Këto janë shifra të turpit tonë si shoqëri, por edhe si institucione të cilat janë të ngarkuara të zbatojnë ligjin dhe të garantojnë liritë, jetën dhe dinjitetin e qytetarëve”.

I pari i Kuvendit është shprehur se shpresoj se kjo javë do të jetë javë e sensibilizimit.

“Shpresoj se të gjitha gratë pa dallim etnie, religjioni dhe asnjë dallim tjetër të jenë më të forta dhe të denoncojnë rastet e dhunës ndaj tyre”.

Veseli ka thënë se meshkujt që ushtrojnë dhunë ndaj femrës nuk janë burra.

“Ata burra që ushtrojnë dhunë nuk janë burra, ata janë qyqarë që nuk kanë forcë me u ballafaqu me realitetin”.