Vazhdon shkëlqimi dhe dominimi i Unitedit me Solskjaer, Djajtë e mbyllin vitin me fitore të thellë ndaj Bournemouthit

E publikuar: 30/12/2018 19:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Manchester Unitedi ka fituar me rezultat të thellë 4-1 ndaj Bourhenmouthit në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të Ligës Premier.

Djajtë e Kuq kanë vazhduar serinë e qind për qind me trajnerin e ri Ole Gunnar Solskjaer, pasi kanë arritur edhe fitoren e tretë radhazi, teksa kanë shënuar 12 gola.

Pjesa e parë e ndeshje u karakterizua me dominim të Unitedit, të cilët përveç shumë rasteve arritën të shënojnë edhe tri gola.

Festa e Pogbas tek goli i parë (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm pesë minutave lojë dhe ishte Paul Pogba, i cili shënoi nga afërsia për 1-0 pas asistimit të Marcus Rashford.

Mesfushori francez u përkujdes edhe për golin e epërsinë 2-0, pasi shënoi me kokë në minutën e 33-të pas asistimit të Ander Herreras.

Momenti i golit të dytë nga Pogba (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Kur pritej që pjesa e parë të mbyllej në skenë doli Rashford (45′) që shënoi nga afërsia për 3-0, ndërsa Nathan Ake (45′) dërgoi skuadrat në pushim me rezultat 3-1.

Rashford shënoi nga afërsia (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, përsëri ishte Unitedi që dominoi dhe menaxhoi ndeshjen, teksa shënoi edhe një gol.

Ishte zëvendësuesi Romelu Lukaku, i cili shënoi në minutën e 72-të për 4-1 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Lukaku shënoi dy minuta pas inkuadrimit (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Pas kësaj fitore, Unitedi ka 35 pikë në vendin e gjashtë apo tetë më pak se Chelsea që mban pozitën e katërt, ndërsa Bournemouth renditet në vendin e 12-të me 16 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Djajtë luajnë në udhëtim te Newcastle, ndërsa Bournemouthi pret në shtëpi Watfordin. /Telegrafi/