Ushtrinë e Kosovës, Serbia e çon në Këshill të Sigurimit

E publikuar: 31/03/2015 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Serbia është e interesuar për paqe e stabilitet në Kosovë, por është kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe për këtë temë do të duhej të bisedohej në nivel të Këshillit të Sigurimit të KB.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së pjesëmarrësve të seminarit 88 Rouz-Rot të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temë “Serbia, Ballkani Perëndimor dhe bashkësia Veriatlantike” ka thënë se Serbia është kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës meqë kjo nuk është në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të KB.

“Kjo mund të ketë pasoja të caktuara për sigurinë në rajon, sepse asokohe, kur u ndal lufta në Kosovë, ishte paraparë që në Kosovë e vetmja forcë e armatosur të jenë forcat ndërkombëtare, përkatësisht KFOR-i”, citohet të ketë thënë Daçiq.

Daçiq ka rikujtuar se me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton dhe ai personalisht kishin qëndruar në selinë e NATO-s ku përfaqësuesit e kësaj organizate ushtarake kishin dhënë garanci se nuk do të ketë shkuarje formacionesh ushtarake të shqiptarëve në veri të Kosovës pa pëlqimin e KFOR-it.

“Kjo është një materie e komplikuar dhe mendojmë se për këtë duhet të bisedohet në nivel të Këshillit të Sigurimit të KB. Kjo (formimi i Ushtrisë së Kosovës) nuk dëshirohet meqë konsiderohet se kjo s’ka më lidhje me materien dhe se kjo është një çështje e pavarur që e rregullojnë autoritetet e Prishtinës. Kjo është një temë rreth të cilës ka mospajtime”, është shprehur Daçiq dhe ka shtuar se Serbia është e interesuar për paqe e stabilitet në Kosovë si dhe për vazhdim të dialogut.
express