Thaçi porosit Serbinë që të mos frikësohet nga shqiptarët por nga vetvetja

E publikuar: 25/03/2015 22:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi ardhjen e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Dacic në Kosovë nuk e cilëson ndonjë sensacion të veçantë.

“Duhet të merret si diçka normale, të kuptueshme, si një komunikim i nevojshëm, i domosdoshëm tek dy vendet. Kemi kaluar nga një situatë dramatike ma herët, të emergjencave në një rrethanë normale”, tha Thaçi për Klan Kosova.

Thaçi që përshëndet nismat rajonale si element i stabilitetit porositi Serbinë të mos frikësohet nga shqiptarët.

Diplomati kosovar i shpalosi arsyet se pse Beogradi duhet frikësuar nga vetvetja kur flitet për raportin me BE’në.

“Nuk mund të ketë të ardhme atlantike duke organizuar parada për Putinin në Beograd apo duke pretenduar në ndërtimin e hapësirave apo bazave ushtarake ruse në Serbi por në të njëjtën kohë duke vonuar Bashkimin Europian, po hapen edhe hapësira për elementë të rrezikshëm të ISIS’it qoftë në hapësira të tjera të vendeve të rajonit”, tha Thaçi.