Sikur t’isha deputet

E publikuar: 10/01/2017 20:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkruan Baton Haxhiu

Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja të bëhem politikan. Nuk e kam pasur dhe nuk e kam këtë problem. Por, sot, duke e shikuar seancën e Kuvendit të Kosovës për rastin e Ramush Haradinajt – të gjitha ato fjalime patetike më të cilat bëhej luftë e ultë politike në emër të një njeriu në telashe të mëdha – vetëm për një çast mendova: “Sikur të isha në foltore, çfarë do të thosha?”. Me siguri jo ato që po thuheshin. Por, çfarë? Vendosa ta sprovoj veten. Dhe, ja ku është “fjalimi” im potencial. Në thonjëza, gjithsesi.

***

Të nderuar deputetë,

Me keqardhje dua të them se Krimit po i rikthehet triumfi.
Në mes të Europës.
Perëndimi është në siklet.
Perëndimi është gjetur në befasi. Në të gjitha veprimet e tij ka hutim, mungesë parashikimi, dyshime.
Pa qenë i dobët, ai jep përshtypje të tillë.
Duke qenë i vendosur ai jep përshtypje të kundërt.
Ka diçka që nuk shkon në temën tonë politike.
Është një prapësi dëshpëruese.
Në Bruksel vazhdojnë hipotezat dhe polemikat.
Diskutohet nëse është e ligjshme apo jo burgosja e Ramush Haradinajt – me dosjet e Serbisë.
Diskutohet nëse është e mirë apo jo muri i ndërtuar nga serbët në Veri.
Diskutohet nëse duhet të shpërblehet Serbia për faktin se është në dialog me Kosovën.
Diskutohet nëse ka qenë mirë apo jo ndihmesa e shtetformimit të Kosovës.
Diskutohet nëse është mirë apo jo të bëhet asociacioni i komunave sipas presionit të Serbisë;
Diskutohet apo jo se pse duhet të dënohen dy milion shqiptarë të Kosovë me mosliberalizim të vizave për shkak të paaftësisë sonë për të gjetur rrugën e demarkacionit.
Diskutohet apo jo se kush i ka fajet për drejtësinë në Kosovë, kur e gjithë drejtësia ka qenë në duart e Brukselit.
Ndërkaq, midis kësaj kohe të humbur, Kosova po zhytet në paqartësi.
E pambrojtur.
Kosova është e vënë në gjunjë.

Kosova është vënë në gjunjë edhe për paaftësinë tonë.
Për spiunimet tona të paqena për ta gjetur një pozicion politik ndryshe. Një pozicion politik më të lehtë, që s’i duhet askujt.

Të nderuar deputetë,

Në dokumentet themeluese të Tribunalit të Hagës arsyetimi ka qene se gjykimet nuk do të mbaheshin në Beograd, Zagreb, Sarajevë apo Prishtinë – ku edhe ishin kryer krimet masive – por në Hagë.

Kjo praktikë historike ndryshoi me “Carla-del-Ponten”, e cila nuk do t’i ndiqte vetëm strategët, nxitësit dhe ekzekutorët e gjenocideve, por edhe viktimat e tyre.

Jo vetëm Sllobodan Millosheviqi dhe garda e tij që nisi luftën dhe ushtroi gjenocid në rajonet e ish-Jugosllavisë u mor në Hagë, por edhe komandantë ushtrish lokale, të dala nga shoqëritë që luftonin për mbrojtjen e popullatës dhe rezistencë ndaj agresorit.

E kemi duruar edhe këtë.

Në Hagë përfunduan dhe u liruan disa nga komandantët e UÇK-së.

Ndërkohë, vendet përkatëse – si agresori Serbia, ashtu edhe viktima Kosova, etj. – u kushtëzuan që të hetojnë dosje në rast se eventualisht paraqitet nevoja.

Nga pozita e agresores, Serbia padyshim se duhej të vepronte dhe të jepte rezultate në këtë drejtim.

Kosovarëve nuk iu dha kjo mundësi direkte për shkak të prezencës së EULEX-it, mision i cili kishte dhe ka për detyrë zbardhjen e delikteve të natyrës kriminale.

Dhe kjo nuk mjaftoi për Evropën?

Ne e dimë shumë mirë se nuk ka justifikim për ngritjen e një tribunali mbi një vend që ka luftuar për liri, sepse në këtë mënyrë fabrikon parimin se çdo vendi mund t’i bëhet tribunal.

Pra, absurdizon dhe banalizon juridikisht dhe moralisht misionin e Tribunaleve për Krimet e Luftës.

Megjithatë, Qeveria dhe politika kosovare, edhe pse ka pësuar dështim historik pasi ka pranuar modelin e propozuar, lejon që prapë t’i bëhen edhe disa gjykime tjera.

Rasti i Ramush Haradinajt është shkelje brutale e gjithë asaj që është ndërtuar institucionalisht bashkë me ndërkombëtarët.

Sa gjykata duhet t’i pranojnë shqiptarët, që Europa të bindet se jemi bashkëpunues me të dhe botën demokratike?

Kemi pranuar dënimet nga UNMIK.

Kemi pranuar dënimet dhe burgimet edhe nga EULEX.

Gjykatat lokale të Kosovës.

Tribunalin për Krime Lufte… 

…dhe tash, Tribunalin Special për Krimet e Luftës në Kosovë.

Të gjitha këto a nuk mjaftojnë të kemi një ndërgjegje të qetë me drejtësinë?

Të dashur deputetë,

Më shumë se viktimë e politikave të dikujt tjetër – Ramush Haradinaj është viktima jonë. Është rast që duhet të na tronditë për punët e shumta ku ngecim si shtet, si politikë, si shoqëri.

Ne fituam. Bëmë shtetin dhe pavarësinë.

Ngecëm pikërisht aty ku nuk duhej: në reformimin e drejtësisë.

Ende nuk arritëm që ta depërtojmë funksionimin e ligjit gjithandej, pa kompromis. Pa ligj të fortë nuk ka siguri, nuk ka liri dhe nuk ka autoritet dhe respekt jo vetëm brenda por edhe më hiç jashtë.

Dhe deri sa të qëndrojmë kështu do të na arrestojnë, do të na ndalin dhe do të na trajtojnë në forma jodinjitoze, siç ndodhi tash me bashkëluftëtarin tonë Ramush Haradinaj.

Po t’i kishim bindur me kohë miqtë tanë dhe tjerët se tek ne sundon ligji, nuk besoj se dikush do t’i përkrahte shpifjet aq të rënda që rezultuan me ngritjen e Gjykatës Speciale.

Arrestimi i Ramushit në kufirin francez ndodhi – dhe ne në vend se t’i bastisim arsyet, lëshimet tona – menjëherë gjetëm adresat e gjithë atyre që i kanë fajet për problemet tona: EULEX-i, Franca dhe gjithkush.

Dakord, është e vërtetë. Organizatat tona mike që veprojnë në vendin tonë i kanë gabimet e veta. Ato premtuan më shumë se ç’bënë e ne u mbështetëm tek ato edhe për punët që nuk i premtuan.

Po të kishte funksionuar ligji si duhet në vendin tonë dhe po që se EULEX dhe tjerët të sillnin rezultatet e duhura ne sot nuk do ishim në këtë gjendje; me arrestime kufijsh dhe, edhe pas gjykimeve disavjeçare me Gjykata Speciale në qafë.

Ne e dimë se lufta jonë ishte e pastër.
Ne e dimë se Ramush Haradinaj është i pastër.

Ne po ashtu e dimë se mundësia që të ketë pasur keqpërdorime nuk mund të përjashtohet pa e provuar të kundërtën.

Shumë prej nesh ndihen të trajtuar padrejtësisht duke na bërë gjykatë speciale edhe pse viktima, ndërsa për agresorët nuk kërkon kush llogari të llojit. Ashtu ndihem edhe unë dhe shumëkush tjetër.
Padrejtësisht.

Por, pa harruar se edhe ne jemi ndihmësit e kësaj padrejtësie, ngase ngecim, ngecim aty ku nuk duhet; në implementimin rigoroz të shtetit ligjor.

Qeveria dhe gjithë ne bëjmë çmos që Ramush Haradinaj të kthehet në shtëpi. Franca mike e di se Serbia vazhdon me po atë politikë ndaj Kosovës, siç e la ai që nxiti luftërat e fundit në hapësirat ballkanike.
Por, a nuk është ky rast dramatik që de facto është i serisë së prishjes së imazhit të shtetit të Kosovës, që ta nxisë dikë që e ka politikë shtetërore të na zgjojë përfundimisht dhe të jemi sa më të ashpër me vetveten dhe të bëjmë çmos që ta falënderojmë botën me një shtet të fortë, të sigurt, drejt mirëqenies dhe paqes në rajon.

Ramush Haradinaj do të kthehet, por ne duhet të bëjmë çmos që ai të mos përsëritet. Të mos i ndodhë asnjë kosovari që niset drejt Evropës.
Ne mundemi dhe duhet ta bëjmë sa më shpejtë.

Nga ky Kuvend i sotëm iu drejtohemi miqve tanë ndërkombëtarë duke i falënderuar për gjithçka që na dhanë, me një lutje:
Kriminelët nuk janë në mesin e viktimave, ata shëtitën diku tjetër më lirë se çdoherë tjetër.
Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj për ta kapërcyer edhe këtë sfidë të madhe të vënies edhe të gurëve të fundit për një shtet të fortë dhe stabil në rajon, i cili ka shumë nevojë edhe për Ramush Haradinajn, atij komandanti që gati gjysmën e jetës e kaloi gjykimeve për të dëshmuar atë që dokumentoi sa herë e sa vite që lufta e tij dhe e jona ishte e pastër.

Të dashur miq ndërkombëtarë, të dashur deputetë,

Në fund po flas diçka edhe për ndërgjegjen.

Rishqyrtimi i ndërgjegjes së një shteti siç është Serbia, s’mund të bëhet me deklarata të thjeshta. Rishqyrtimi i ndërgjegjes do të thotë zbritje në thellësi të problemeve.
Zbritje në thellësi për të gjetur rrënjët e së keqes.
Dhe rrënjët e së keqes së sotme janë shumë të thella.
Unë e di që Evropa ka probleme me këtë të keqe.
Por, ajo
po bën vaksinimin e krimineleve dhe me këtë vaksinim po bën njëfarë mpirje të opinionit publik, që duke dëgjuar çdo ditë për këtë vaksinim po mësohet me të keqen.
Vaksinimi i kriminelëve është shoqëruar me një tallje të vazhdueshme për qytetërimin evropian.
Është tallje e njohur e banditëve që kur vaksinohen nga e keqja, e konsiderojnë si ushqim shpirtëror.
Është kurajë.
Është një lloj ekstaze për të shkuar më larg me krimin.

Ndërkaq, Perëndimi vazhdon mirësjelljen e tij, që është sjellja, mbase, më e keqe përballe banditëve.
Kjo mirësjellje e Perëndimit, deklaratat e kujdesshme – kujdesi se mos po fyhet “populli i mirë serb”, “populli mik serb”, etj., – po merren nga Serbia dhe qeveria e saj si dobësi, si frikë, si marrje me të mirë, si dëshmi se Perëndimi ua ka nevojën.
Ka qenë kjo mënyra më e keqe për ta ndihmuar popullin serb.
E vetmja mënyrë, e vetmja ndihmë është që atyre t’u thuhet e vërteta në sy.

Të nderuar deputetë,

Edhe ne kemi ndërgjegjen tonë të munguar.
Edhe ne duhet ta rishqyrtojmë ndërgjegjen tonë.
Kosova do të turbullojë shumë ndërgjegje sot, e do të bëjë që të bien shumë maska.
Përpara lirisë sonë asnjëri nga ne nuk mund të mbahet në këmbë në qoftë se është kundër Perëndimit.
Kundër vlerave që ata i kanë ndërtuar me sakrifice dhe dhimbje.
Kundër demarkacionit.
Kundër lirisë së lëvizjes.
Kundër asociacionit.
Për sistemin e drejtësisë të paprekur nga askush.
Për një shëndetësi të mirë.
Për një arsim cilësor.
Për një ekonomi që ka vlera.
Për një fqinjësi pa armiq.
Kundër korrupsionit.
Kundër këtyre “vlerave negative” që është dashur t’i përfundojmë para shumë kohësh.

Këtu duhet ta rishqyrtojmë ndërgjegjen tonë.

Kosova pat treguar se qytetërimi perëndimor ka qenë në rrezik nga një regjim i çmendur.
Se në Kosovë është kapërcyer çdo kufi i ndërgjegjes së munguar.
Kosova sot duhet të tregojë se asgjë nuk është më e rëndësishme se – Kosova.
Kjo është thirrje për një ndërgjegje të re.
Për një Kosovë që duhet të jetë e lirë kryesisht me punën tonë.
E jo të jetë e ngujuar me mospunën tonë.
Me faqezezat tona.
Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, thotë Kanuni.
Ne duhet ta përshtatim këtë fjali dhe ndjenjë sublime.
Më së pari për vetën, e pastaj për të gjithë të tjerët.
Kosova është shtëpia jonë. Ta duam si të tillë.
Për Zotin dhe për miqtë.

Faleminderit!