Shumë mjekë specialistë mbeten në kërkim të një vendi pune

E publikuar: 01/02/2019 08:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Kosovë vazhdon të ketë një numër të konsiderueshëm të mjekëve specialistë të papunë. Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, kanë kërkuar që për vitin 2019, në Qendrën Klinike dhe njësitë e saj të lejohet punësimi i rreth 300 profesionistëve shëndetësorë, prej të cilëve shumica specialistë.

Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se pas miratimit të buxhetit, do të hapen edhe konkurset.

Ndryshe, në sektorin publik shëndetësor janë më shumë se 13.500 të punësuar, prej tyre 5.561 janë mjekë dhe 7.392 infermierë.

Ndërkaq, janë rreth 200 mjekë specialistë, të cilët kanë mbetur jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Mirjeta Berisha, mjeke specialiste e stomatologjisë, thotë se qe dy vjet e gjysmë mbajnë takime të njëpasnjëshme me zyrtarë qeveritarë për punësimin e tyre, porse punësimi ende nuk ka ndodhur.