Shpërthim afër një zyreje për refugjatë në Bavari

E publikuar: 27/07/2016 19:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Televizioni gjerman, “Bayerischer Rundfunk” ka raportuar se në afërsi të zyres për regjistrimin e refugjatëve në Zirdndorf, afër Nyrembergut, në Bavari është dëgjuar një shpërthim.

Nuk është raportuar ende për viktima të mundshme. Policia ka njoftuar se një operacion policor është duke u kryer në këtë qytezë.

Shpërthimi ka ndodhur pas një mori sulmesh brutale në këtë land gjerman që konsiderohet si portë e mijëra refugjatëve.

Më 24 korrik, një azil kërkues sirian 27 vjeçar e ka vrarë vetën duke e shpërthyer eksplozivin që e kishte në trup pasi i është ndaluar hyrja në një festival muzikor.

15 persona janë lënduar në këtë sulm, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë grupi militant, Shteti Islamik.

Më 22 korrik, nëntë persona janë vrarë gjatë një sulmi të kryer nga një gjermano iranian 18 vjeçar i cili më pas dyshohet se e ka vrarë vetën.

Më 18 korrik, një 17 vjeçar që sipas raportimeve të ndryshme mund të ketë qenë nga Afganistani apo Pakistani është vrarë pasi ka plagosur disa pasagjerë në një tren në Gjermaninë jugore./rel/