Shkëndija e Tetovës, surpriza e nje “nate vere”

E publikuar: 22/07/2016 15:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një natë e paharrueshme që bashkon shqiptarët e Maqedonisë rreth ngjyrave kuqezi. Skuadra e shqiptarëve të Tetovës nuk mbajti lart vetëm flamurin e vendit fqinj në kupat europiane, por mbi të gjitha hodhi një hap të madh drejt të ardhmes, asaj të ardhmeje për të cilën kompania “Ecolog” po investon për të ruajtur një traditë dhe një emër që mes shqiptarësh krijon emocione, dashuri dhe shumë krenari. Vetëm disa vite më parë, Shkëndija ntonte në ujëra të turbullta ku falimentimi ishte alternativa më e prekshme. Por tashmë kohët kanë ndryshuar pasi Shkëndija është strukturuar në bazë të parametrave të një klubi modern që po e ndërton gur pas guri historinë e saj mbi themelet e një investimi të rëndësishëm. Emra jo shumë të njohur por të dedikuar ndaj fanellës dhe futbollit, shumë djersë e derdhur por mbi të gjitha besim. Shkëndija e këtij viti është pasqyrë e punës kolosale të bërë në mënyrën e duhur nga drejtuesit e klubit sepse për të mbajtur lart një emër nuk nevojiten vetëm para por edhe vizion.

Të dyja këto të miksuara në një filozofi të vetme kanë vetëm një përfundim, sukesin. Sezonin e shkuar Shkëndija e mbylli sezonin në vendin e dytë të Kampionatit Maqedonas, kjo edhe për shkak të tensionit mes fanatikëve të Vardarit që arritën kulmin me atë sulm fizik ndaj drejtuesve të Shkëndijës në transfertën e Shkupit vetëm pak muaj më parë. Gjithsesi, klubi kuqezi nuk u dorëzua dhe i tregoi një vendi të përçarë se shqiptarët dinë të dalin mbi paragjykimet, duke dhënë shembullin e profesionalizmit të tyre. Ndaj Neftchit, Shkëndija siguroi jo vetëm një biletë për në raundin e tretë paraeliminator të Europa League, por me lojën e treguar në fushën e blertë, dha garanci se kjo skuadër ka ende barriera për të thyer. Kundërshtari i radhës është Mlada Boleslav, por për këtë grup asgjë nuk është e pamundur. Shkëndija e Tetovës ka hapur një kapitull të ri jo vetëm në Maqedoni por në gjithë hapësirat futbolldashëse të shqiptarëve.