Shkaqet, trajtimi dhe medikamentet mbi herninë diskale

E publikuar: 22/01/2016 14:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hernia diskale (disku i rrëshqitshëm), shfaqet kur njëra pjesë apo i gjithë disku sforcohet si pasojë e një pjese të dobët të tij. Kjo bën që të ushtrohet presion mbi nervat që gjenden pranë ose në shtyllën  kurrizore.

Shkaqet

Kockat (vertebrat) e shtyllës kurrizore mbrojnë nervat të cilat zgjaten nga truri dhe udhëtojnë për poshtë duke formuar rrjetin e nervave të shtyllës kurrizore. Rrënjët e nervave janë nerva të mëdha të cilat dalin nga korda shpinore (sistemi i nervave të shtyllës kurrizore) dhe degëzohen më pas, duke lënë shtyllën kurrizore, nëpërmjet secilës vertebër.

Kockat e shtyllës kurrizore janë të veçuara nga njëra tjetra nëpërmjet disqeve. Disqet shërbejnë për të zbutur efektin e çdo impakti të mundshëm mbi shtyllën kurrizore, si dhe për të krijuar hapësira midis vertebrave. Disqet lejojnë që të ketë veprim dhe lëvizshmëri midis vertebrave. Kjo bën të mundur që ju të përkuleni dhe të zgjateni.

Kur vuani nga Hernia Diskale, mund të ndodhë që:

Disku të lëvizë nga vendi (hernitim) apo të copëtohet (thyerje) si shkak i një dëmtimi apo sforcoje të madhe. Kur ndodh diçka e tillë, mund të ushtrohet trysni mbi nervat e shtyllës kurrizore. Kjo sjell dhimbje, mpirje ose dobësi.

Pjesa e fundme e shtyllës kurrizore (zona e mesit), është zona më e mundshme për të patur një disk të zhvendosur. Disqet e qafës (cervikale) mund të preken ndonjëherë. Disqet e pjesës së mesit të shtyllës kurrizore (torsiale) preken shumë rrallë.

Hernia diskale është një nga shkaqet e radikulopative. Këtu përfshihet çdo sëmundje që prek rrënjët e nervave shpinore.

Disqet e zhvendosura shfaqen më tepër tek meshkujt në gjysmë moshë, zakonisht si rrjedhojë e aktivitetit tepër të lodhshëm. Risqet e tjera përfshijnë dhe ato që janë të pranishme që në lindje (kongjenitale), të cilat ndikojnë në madhësinë e kanalit shpinor lombatik (kanali ku kalojnë nervat në pjesën e fundme të shtyllës kurrizore).

Simptomat

Dhimbja shfaqet zakonisht në njërën anë të trupit.

Kur keni një disk të zhvendosur, në pjesën e poshtme të kurrizit, mund të ndjeni një dhimbje therëse në këmbë, ije apo rrëzë  kofshës dhe mpirje në pjesë të tjera të trupit . Mund të ndjeni mpirje dhe në shputën apo pulpën e këmbës. Po këtë këmbë, mund dhe ta ndjeni të dobët.

Kur keni një disk të zhvendosur në pjesën e qafës, mund të keni dhimbje kur lëvizni qafën, një dhimbje të thellë afër ose mbi kockën e shpatullës, ose dhimbje që lëviz drejt krahut, parakrahut dhe gishtave. Mund të përjetoni dhe mpirje në tërë shpatullën, në bërryla, parakrah dhe gishta.

Dhimbja fillon e lehtë dhe përkeqësohet :

-Pas qëndrimit të gjatë në këmbë ose ulur;

-Natën;

-Kur teshtini, kolliteni ose qeshni;

-Kur përkuleni mbrapa apo ecni për disa kilometra.

Mund të keni dhe dobësi në muskuj të caktuar. Ndonjëherë ju nuk e vini re derisa kontrolloheni tek doktori. Në raste të tjera, ju do të keni vështirësi të ngrini këmbën, të qëndroni mbi gishtat e këmbëve, të shtrëngoni fort me njërën dorë  apo probleme të tjera të këtij lloji.

Dhimbja dobësia dhe mpirja, shpeshherë zhduken ose lehtësohen me kalimin e kohës.

Ekzaminimet dhe testet

Një kontroll i gjithanshëm fizik dhe historiku i shëndetit fizik, janë gjithmonë hapi i parë. Në varësi të vendit ku ju shfaqni simptoma, doktori do t’ju kontrollojë qafën, shpatullën, krahët dhe duart ose fundin e shpinës, ijet, këmbët dhe pjesën e poshtme të tyre.

Doktori gjithashtu do të kontrollojë:

-Për mpirje apo humbje të ndjeshmërisë;

-Reflekset e muskujve, të cilat mund të jenë të dobëta apo të kenë humbur;

-Forcën e muskujve, që mund të jetë dobësuar;

-Qëndrimin tuaj apo mënyrën si përkulet shpina juaj.

Doktori mund t’ju kërkojë dhe:

-Të uleni , ngriheni dhe të ecni. Ndërsa ecni doktori mund t’ju kërkojë të ecni mbi majën e gishtave dhe mbi thembër;

-Të përkuleni para mbrapa dhe anash;

-Të lëvizni qafën para, mbrapa dhe anash;

-Të ngrini shpatullat lart, bërrylat, kyçet dhe duart, si dhe të kontrollojë forcën gjatë këtyre ushtrimeve.

Dhimbja e këmbës, që ndodh kur jeni ulur dhe ngrini këmbën për lart, zakonisht tregon se keni një disk të zhvendosur në pjesën e fundme të kurrizit.

Në një tjetër test, do ju duhet të përkulni kokën para, ndërkohë që një profesionist ushtron trusni lehtë për poshtë, në pjesën e sipërme të kokës. Nëse mpirja dhe dhimbja gjatë këtij testi rritet, kjo tregon se mund të keni një disk të zhvendosur në pjesën e qafës.

Teste diagnostikuese

EMG (elektromiogram). Kjo procedurë përcakton rrënjën e saktë të nervave që është dëmtuar;

Melograma, mund të kryhet për të përcaktuar madhësinë dhe vendodhjen e shkarjes së diskut;

Mund të bëhet dhe një test i Shpejtësisë së Përçimit të Nervave;

Një Imazh me Rezonancë Magnnetike ose një Tomografi e kontrolluar e shtyllës kurrizore, do të tregojë se disku i zhvendosur ushtron trysni mbi kanalin shpinor;

Një skanim me rreze-x për shtyllën kurrizore mund të rendisë shkaqe të tjera të dhimbjes së mesit apo qafës. Gjithsesi nuk është e mundur të diagnostikohet një hernie diskale vetëm nëpërmjet rrezeve-x.

Trajtimi

Trajtimi i parë për një disk të rrëshkitur është një periudhë e shkurtër qetësimi dhe mjekime për dhimbjen. Ky trajtim ndiqet dhe nga terapi fizike. Shumica e njerëzve që ndjekin këto trajtime, e marrin veten dhe i rikthehen aktiviteteve të përditshme. Disa njërëzve do ju nevojitet më shumë trajtim. Ky përfshin injeksion steroidesh ose operacion.

Medikamentet

Barnat e ndryshme mund t’ju ndihmojnë për lehtësimin e dhimbjes. Doktori mund t’ju përshkruaj mjekime pa stereoide antiinflamatore, për mbajtjen nën kontroll të dhimbjes së vazhdueshme. Barnat narkotike (morfina, kodeina etj), mund t’ju jepen kur dhimbja është shumë e fortë dhe nuk pushon me marrjen e barnave anti-inflamatore pa stereoide.

Nëse keni spazma të kurrizit, zakonisht do të merrni relaksues muskujsh. Në raste të rralla mund të nevojiten barna me stereoide, me kokrra ose në rrugë intravenoze, për të qetësuar dhimbjen e shpinës.

Ndryshime në mënyrën e jetesës

Dieta dhe stërvitja janë shumë të rëndësishme për të lehtësuar dhimbjen e shpinës, nëse jeni mbi peshë.

Terapia fizike është e rëndësishme gati për të gjithë ata me sëmundje të diskut. Terapistët do ju tregojnë se si të ngrini pesha, ecni, visheni dhe të ushtroni aktivitete të tjera. Ata ju mësojnë si të forconi muskujt që ndihmojnë për të mbajtur shtyllën kurrizore. Ju do të mësoni dhe si të rrisni përthyeshmërinë e shpinës dhe këmbëve tuaja.

Kujdesuni për kurrizin tuaj në shtëpi

Ulni sasinë e aktivitetit për ditët e para. Rikthehuni me ngadalë tek lëvizshmëria e përditshme.

Shmangni ngritjen e peshave dhe përthyerjen e kurrizit në 6 javët e para pas fillimit të dhimbjes.

Pas 2 ose 3 javësh, filloni të ushtroheni gradualisht.

Injeksionet (gjilpërat)

Injeksionet e stereoideve brenda kurrizit, në zonën e hernies diskale, mund të ndihmojnë për të mbajtur dhimbjen nën kontroll për disa muaj. Këto shiringa ulin enjtjen rreth diskut dhe lehtësojnë disa simptoma. Injeksionet në shtyllën kurrizore, bëhen zakonisht në zyrën e doktorit.

Operacioni

Operacioni paraqet një mundësi të mirë, nëse simptomat nuk largohen me trajtime të tjera. Diskektomia është operacion që heq një pjesë apo gjithë diskun. Diskutoni me doktorin për të ditur cila nga këto mundësi është më e mira për ju.

Prognoza e sëmundjes

Pjesa më e madhe e njerëzve shfaqin përmirësime duke u trajtuar. Ndonjëherë mund të keni dhimbje shpine të vazhdueshme edhe pas trajtimit.

Mund të duhen disa muaj deri në një vit ose më shumë, që ju të ktheheni tek aktiviteti juaj normal, pa patur dhimbje dhe pa e sforcuar mesin. Njerëzit të cilët kanë punë që përfshijnë ngritje peshash ose sforcim të mesit, mund të jenë të detyruar të ndryshojnë aktivitetet e punës për të mos e dëmtuar përsëri mesin.

Komplikacionet e mundshme

Në raste të rralla, mund të shfaqen këto probleme:

-Dhimbje e vazhdueshme e mesit apo këmbës;

-Humbje e lëvizshmërisë apo ndjesi e tillë, në tërë gjatësinë e këmbës;

-Humbje e funksionit të shpretkës ose zorrës;

-Dëmtim i përhershëm i nervave të shtyllës kurrizore (shumë e rrallë)

Kur të kontaktojmë me një profesionist mjekësor?

Telefononi doktorin tuaj kur:

-Dhimbje të madhe mesi që nuk largohet.

-Keni çfarëdo mpirje, humbje të lëvizshmërisë, dobësi apo ndryshime në funksionet e shpretkës dhe zorrëve.

Parandalimi

Të punoni dhe jetoni me kujdes, të përdorni teknikat e duhura për ngritjen e peshave dhe të kontrolloni peshën trupore, janë veprime që mund të ndihmojnë për të parandaluar dëmtimet e mesit.

Doktori mund t’ju rekomandojë të mbani një brez mesi për të mbajtur shpinën të palëvizur. Brezi parandalon dëmtimet tek njerëzit që ngrenë objekte të rënda në punë. Por, përdorimi me tepricë i këtyre pajisjeve mund të dobësojë muskujt që mbajnë shtyllën kurrizore dhe ta përkeqësojë gjendjen.

Emra alternativë të sëmundjes

Radikulopati lombarike; radikulopati cervikale; Hernie diskale intravertebrale; Disk intravertebral i prolapsuar; disk i rrëshkitur (zhvendosur); Pulpozë bërthamore e hernizuar. Këto janë emra të tjerë për këtë sëmundje.