Rritet me ujq për 12 vjet: Ëndërron të kthehet në male, i zhgënjyer nga jetesa me njerëzit (Video)

E publikuar: 06/04/2018 18:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marcos Rodriguez Pantoja që ka jetuar me ujq për 12 vjet, thotë se jeta në një shoqëri humane është dështim dhe ëndërron të kthehet në egërsinë e maleve.

Kur kishte vetëm shtatë vjet, ai mbeti i vetëm në Sierra Morena të Spanjës dhe u adoptua nga një grup ujqish, transmeton Telegrafi.

Atë e gjetën si 19-vjeçar,të zbathur dhe gjysmë të zhveshur, ndërsa komunikonte zëra sikur të kafshëve, kur e kthyen sërish në civilizim.

“I mbuloja këmbët vetëm kur binte borë, teksa kisha kallo të mëdha. Kur godisja gurin, më dukej sikur po qëlloja ndonjë top”, kujton Pantoja kohën e jetës në male.

Tani si 72-vjeçar, ai jeton në një shtëpi të vogël dhe të ftohtë në Rante të Galicias, me një pension shumë të vogël dhe i zhgënjyer prej njerëzve.

Prej se e larguan prej shpellës që e quante shtëpi, ai thotë se jeta tij mori teposhtën, pasi kurrë nuk arriti të integrohet në shoqëri.

Ai pretendon se e mashtruan dhe abuzuan, ndërsa u shfrytëzua prej menaxherëve në qendrat ku jetonte dhe në industrinë e ndërtimit, që përfituan prej tij dhe e lanë pa asgjë.

I njohur si Mogli i Spanjës, thotë se kohërat më të lumtura për të ishin kur jetonte me lakuriqë, gjarpinj dhe drerë, zërat e të cilëve ende i imiton.

Atë e kishin dërguar aty si bari dhish, pasi nëna i kishte vdekur kur ishte trevjeçar, ndërsa babai abuziv kishte ikur me një grua tjetër.

Për të ishte kujdesur një burrë i moshuar, i cili i mësoi të ndizte zjarr dhe gjëra tjera elementare, që më pas vdiq ose u largua papritmas, duke e lënë atë tërësisht të vetmuar.

Fillimisht, ai mbijetoi duke ngrënë fruta mali dhe rrënjë bimësh, ndërsa më vonë një ujkonjë nisi t’i jepte nga pak mish. “Pasi i ushqeu të vegjlit, më hodhi edhe mua një copë mish. Nuk guxoja ta prekja, por ma afronte me hundë”, ka thënë Pantoja për BBC.

“E mora dhe e hëngra. Mendoja se do të më sulmojë, por nxori gjuhën dhe nisi të më lëpinte. Tashmë isha pjesë e familjes”, ka shtuar ai.

Ai e kishte bërë ‘shok’ edhe një gjarpër, i cili e ndiqte ngado, sepse ai e ushqente me qumësht të dhisë.

Rikthimi në civilizim ishte shumë i keq për të, pasi haste në vështirësi në jetimore, ku murgeshat i kërkonin të qëndronte drejtë dhe të hante në tavolinë.

Për një kohë ai qëndroi në karrocë, pasi i operuan kallot gjigante që kishte në këmbë, teksa vizita te berberi ishte tmerr i vërtetë, sepse frikësohej se do t’ia prenë fytin me gërshërë.

Zhurma ishte pjesa më e vështirë – veturat, turmat dhe njerëzit që i vinin te dritarja nga drejtime të ndryshme. Ai kishte shumë frikë ta kalonte rrugën.

Për një kohë të gjatë, ai ishte grindur me murgeshat, pasi nuk donte të shtrihej në shtrat, ndërsa pasi mori një dhomë me qira, për një kohë të gjatë fjeti në dysheme.

Ai ishte përpjekur të kthehej në mal, por shpella ku jetoi ishte kthyer në motel, me dyer të hekurta dhe e ndriçuar në çdo skaj. Madje, as ujqit nuk e donin më dhe mbanin distancë, duke mos iu afruar për ta përqafuar si vëlla.

“Ujqit janë aty dhe lëvizin, unë rrëqethem dhe nuk mund t’i shoh më ashtu. Mes nesh ka distancë, nuk jam më një me ta, pasi unë mbaj erë njeriu. Kjo më dhemb”, ka thënë Pantoja.

Një organizatë që merret me të drejtat e njeriut, është duke mbledhur fonde për t’ia blerë një shpi normale, ta dërgojë në rehabilitim dhe t’i ofroj mundësi të jetë sërish pranë kafshëve të preferuara.

“Fqinjët nuk më duan, unë nuk di politikë e as futboll, u dukem naiv. Por, mjeku më ka thënë që t’ju qeshë prapa, sepse ata nuk dinë atë që unë e di shumë mirë”, përfundon Pantoja. /Telegrafi/