Rreth 15 pushues nga Kosova të vdekur në plazhet e Shqipërisë këtë sezon

E publikuar: 22/07/2017 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Plazhet e Shqipërisë kanë qenë fatale për rreth15 kosovarë që nga fillimi i kësaj vere. Shumica e tyre kanë humbur jetën derisa po laheshin në ujërat e Detit Adriatik.

Megjithatë, pushuesit nga Kosova nuk ndihen të pasigurt, edhe pse disave prej tyre nuk u pëlqen mungesa e rojeve të shpëtimit, raporton KTV.

Plazhet private e ato publike, sipas ligjeve të Shqipërisë, janë të obliguar që të kenë kullën e vrojtimit dhe rojet e shpëtimit.

Eksperti i zhytjes në Kosovë, Ismajl Kasumi, thotë se për 50 vjet, sa ai merret me zhytje, nuk ka parë kaq shumë vdekje në ujërat e bregdetit shqiptar.

Krahas thirrjeve për kujdes nga pushuesit, ai kërkon nga pronarët e plazheve që të marrin masat e nevojshme, pasi aktualisht niveli i sigurisë në shumicën e plazheve në Shqipëri është i ulët.

E, sipas të parit të Unionit Turistik të Shqipërisë, Rrahman Kasa, Agjencia Kombëtare e Bregdetit duhet të mos mjaftohet me gjoba ndaj shkelësve të ligjit.

Pavarësisht kërkesës, Kohavisioni nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit lidhur me sigurinë në plazhe dhe masat ndëshkuese ndaj plazheve private që nuk kanë kulla vrojtimi edhe roje të shpëtimit.