Real Madridi dominon listën e Topit të Artë me tetë futbollistë, pas tyre Liverpooli me katër dhe disa skuadra tjera me nga tre

E publikuar: 08/10/2018 21:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Revista franceze France Football ka publikuar listën prej 30 futbollistëve që janë në garë për të fituar çmimin më të madh individual për këtë vit, Topin e Artë, listë e cila dominohet nga Real Madridi me tetë kandidatë.

Real Madridi është skuadra e cila dominon listën për Topin të Artë, pasi aty janë të përfshirë lojtarë si Gareth Bale, Karim Benzema, Thibaut Courtois, Isco Alarcon, Marcelo, Luka Modric, Sergio Ramos dhe Raphael Varane.

Fitimi i trofeut në Ligën e Kampionëve për herën e tretë radhazi dhe shumë paraqitjet e mira të disa futbollistëve në Kupën e Botës kanë bërë që Mbretërit të dominojnë në këtë garë.

Real Madrid (Getty Images)

Pas tyre vjen skuadra angleze, finalisti i Ligës së Kampionëve, Liverpooli me katër lojtarë që janë pjesë e garës: Mohamed Salah, Alisson Becker, Roberto Firmino dhe Sadio Mane.

Barcelona ka tre futbollistë kandidatë për Topin e Artë: Lionel Messi, Luis Suarez dhe Ivan Rakitic, por mund të kishte edhe më shumë pasi në sezonin e fundit fituan La Ligan dhe Copa del Rey.

Edhe Atletico Madridinë këtë listë ka tre futbollistë. Diego Godin, Jan Oblak dhe Antoine Griezmann, i cili mund të llogaritet edhe si njëri nga konkurrentët kryesor duke ditur triumfin e tij në Ligën e Evropës, Superkupën UEFA dhe Kupën e Botës me Francës.

Lista e 30 kandidatëve për Topin e Artë

Kështu, kampionati që ka më shumë kandidatë në listë është ai spanjoll, La Liga, pasi 14 nga 30 kandidatët janë pjesë e këtij kampionati.

Skuadra tjetër që ka tre futbollistë në garë është Paris Saint-Germain. Juventusi, Manchester City, Tottenham Hotspur dhe Chelsea kanë nga dy, ndërsa Manchester Unitedi përfaqësohet nga  Paul Pogban. /Telegrafi/