Raporti, 820 milionë euro dëm në buxhet, ja përgjegjësit

E publikuar: 31/10/2017 08:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Organet e qeverisjes qendrore dhe vendore, gjatë vitit 2016, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë shkaktuar 820 milionë euro dëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Pra, rreth ¼ e buxhetit të shtetit shqiptar, për vitin që lamë pas, është ‘zhdukur’.

Ky është konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, në raportin vjetor për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2016. Raporti është zbardhur ekskluzivisht nga Shqiptarja.com. “Në total efektet negative në buxhetin e vitit 2016 llogariten në vlerën 109,546 milionë lekë ose 820 milionë euro”, thuhet në raport.

Dëmi ekonomik është llogaritur duke përfshirë dëmet e shkaktuara nga të gjitha entet publike, të ardhurat e munguara, rritjen e detyrimeve, shkeljet e legjislacionit tatimor, shkeljet e kodit doganor, keqadministrimin e pronës shtetërore dhe shkeljet e legjislacionit për taksat dhe tarifat vendore. Gjithashtu, janë llogaritur shpenzimet abuzive për paga, sigurime dhe shpërblime, shpenzimet operative, shpenzimet për investime, koncesionet, si dhe borxhi në sektorin e tatimeve, doganave dhe sigurimet shoqërore.

“Nga auditimet në zbatim të buxhetit 2016, KLSH ka konstatuar shkelje të ligjshmërisë financiare konsideruar si dëme ekonomike për buxhetin e shtetit (të ardhura të munguara apo dëme ekonomike) në vlerën 19,909 milionë lekë ose 149 milionë euro. Mungesë të ardhurash apo shpenzime jo në përputhje me parimet e ekonomicitetit, eficencës dhe efektivitetit në vlerën 288 milionë euro. Konstatimet kryesore i takojnë fondeve të programuara për infrastrukturën rrugore, për shëndetësinë, për sektorin shtetëror të energjisë, në infrastrukturën e etj.

Rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerë 51,175 milionë lekë ose 383 milionë euro për vitin 2016 dhe përbën mungesë direkte të ardhurash për buxhetin e shtetit”, thuhet gjithashtu në raport. Gjatë vitit 2016, KLSH ka realizuar 1 361 auditime, nga 1 637 kontrolle të planifikuara. Në nivel ministrish dhe organesh në varësi të tyre, KLSH ka kryer 394 auditime, ndërsa në njësitë e qeverisjes vendore janë ushtruar 359 kontrolle. Të gjitha kontrollet janë kryer nga 386 auditues, të cilët kanë konstatuar 9 421 shkelje.
Shkaqet
Në raporte renditen edhe shkaktarët që kanë prodhuar këtë abuzim me paratë publike, ku më kryesorja është moszbatimi i rekomandimeve të KLSH në të kaluarën. “Nga të dhënat e raportuara, vërehet nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve me 47%, pavarësisht se pranueshmëria e tyre është në masën 99%.

Konstatohet se niveli i zbatimit të rekomandimeve në nivel ministrish është 22% ndërkohë që në pushtetin vendor ky nivel zbatimi rritet në 29%. Niveli i ulët apo, niveli zero i zbatimit të rekomandimeve në disa subjekte, tregon se nga titullarët e institucioneve akoma nuk është kuptuar rëndësia e zbatimit të rekomandimeve të Auditimit të Brendshëm. Neglizhenca e konstatuar tregon akoma varësinë që këto struktura kanë nga titullarët dhe pamundësinë në këto kushte për të shtuar presionin për zbatimin e rekomandimeve”, thuhet në raport.

Dështimi i vetëkontrollit
Referuar raportit, KLSH ka konstatuar devijime në funksionimin e strukturave që monitorojnë vendosjen e sistemeve të kontrollit dhe sigurojnë që institucionet njohin dhe implementojnë kërkesat për një kornizë të menaxhimit financiar dhe kontrollit funksionale. “Struktura përgjegjëse për menaxhimin financiar dhe kontrollin nuk ka arritur të vendosë një urë komunikimi të përshtatshme me institucionet publike për të udhëhequr nga pikëpamja metodologjike këtë proces, jo vetëm të vështirë, por edhe sfidues.

Konstatohet se përzgjedhja e personave në borde dhe komitete, në mbështetje të strukturave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është realizuar jo në përputhje me kriteret dhe në disa raste konflikti i interesave ka ekspozuar vendimmarrjen ndaj riskut Operacional”, vijon raporti.

Pasojat
Sipas raportit, mangësitë e konstatuara në sistemet e kontrollit të brendshëm, në institucionet qendrore, kanë sjellë si pasojë të ardhura të munguara në shumën 19,787 000 lekë, dëm ekonomik në vlerën 414,507 000 lekë, si edhe mungesë efektiviteti, eficience dhe ekonomicitetit në fushën e shpenzimeve dhe të ardhura, në shumën 635,232 000 lekë.

“Në fushën e të ardhurave vlera prej 15,457 000 lekë konstatuar në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, nga qiratë që duhej të paguante Koncesionari për përdorimin e aseteve, pronë shtetërore, në formën e “Royalty Fee”në vlerën 15,457 000 lekë”, thuhet në raport.

Shkeljet në shpenzime
Në fushën e shpenzimeve, KLSH ka konstatuar shkelje të disiplinës financiare në vlerën 414,507 000 lekë. “Rreth 96% e dëmit në fushën e shpenzimeve është i lidhur me prokurimet publike, dëm i cili është në vlerën 399,134 000 lekë. Shkeljet më të mëdha janë konstatuar në Ministrinë e Energjisë dhe industrisë në vlerën 194,032 000 lekë; në Autoritetin Rrugor Shqiptar në vlerën 173,862 000 lekë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në vlerën 16,500 000 lekë, në Ministrinë e Shëndetësisë në vlerën 9,837 000 lekë dhe në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave në vlerën 4,903 000 lekë; si edhe në fushën e investimeve hidroenergjetike dhe hidrokarbure nga auditimi në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore është konstatuar dëm ekonomik në vlerën 12,500 000 lekë”, thuhet në raport.

Konstatime për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit
Kuadri rregullator është i paplotësuar, ka mbivendosje, dublime kompetencash dhe mungesë të ndarjes së përgjegjësive institucionale.
Nuk ka funksionuar bordi, komiteti shkencor me panelet, si dhe drejtorët e përgjithshëm pas vitit 2016 janë emëruar në kundërshtim me kërkesat përkatëse ligjore.
Ka shfaqur mangësi në administrimin e shërbimit civil, si dhe nuk ka një shpërndarje racionale të inspektorëve në rajone dhe sipas sektorëve brenda tyre.
Ka kapacitete të dobëta inspektuese: nga largimet e paligjshme; mungesa e përputhjes së kritereve të formimit profesional; mungesa e trajnimeve, testimeve, kualifikimeve dhe për pasojë cilësi dhe numër i ulët e inspektimeve.

Nuk janë trajtuar siç duhet masat administrative të dënimit me gjobë të subjekteve të gjendur në kundërshtim me ligjin.
Pajisjet laboratorike në masë të konsiderueshme janë të amortizuara e jashtë përdorimit dhe laboratorë janë të paautorizuar.
Mungojnë investimet në asete e infrastrukturën inspektuese, si dhe në pajisjet laboratorike me shtrirje në të gjithë vendin, të nevojshme dhe të domosdoshme për përmirësimin e sigurisë ushqimore në vend.
Dëmi ekonomik sipas institucioneve dhe natyrës së shkeljeve për vitin 2016
Në fushën e shpenzimeve
Autoriteti Rrugor Shqiptar 173,862 000 lekë
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit 16,500 000 lekë
Ministria e Shëndetësisë 9,837 000 lekë
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 4,903 000 lekë
Ministria e Energjisë dhe Industrisë, 194,032 000 lekë

Në fushën e shpenzimeve operative
Ministria e Punëve të Jashtme 1,074 000 lekë dhe 18,997 000 lekë
AKBN në vlerën 2,032 000 lekë
Ministria e Mjedisit 23,194 000 lekë

Në fushën e investimeve
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore 12,005 000 lekë.

Në fushën e të ardhurave
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, 15,457 000 lekë.

Në fushën e shkeljes së ligjit
Autoriteti Rrugor Shqiptar 88,674 000 lekë
Ministria e Energjisë dhe Industrisë 241,911 000 lekë dhe 82,414 000 lekë
Ministria e Punëve të Jashtme 25,761 000 lekë
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes 151,863 000 lekë

-Në fushën e pagave dhe shpërblimeve
Bashkia Roskovec 842 000 lekë
Bashkia Mat 502 000 lekë
Bashkia Cërrik 000 490 lekë
Bashkia Sarandë 2,437 000 lekë
Bashkia Tepelenë 2,120 000 lekë
Bashkia Kavajë 1,332 000 lekë

Punime të pakryera
Bashkia Sarandë 46,400 000 lekë
Bashkia Tepelenë 12,867 000 lekë
Bashkia Kavajë 11,400 000 lekë

Borxhet e krijuara
Bashkia Fier 362,295 000 lekë
Bashkia Kavajë 191,000 000 lekë,
Bashkia Dibër 100,000 000 lekë
Bashkia Devoll 100,000 000 lekë
Bashkia Cërrik 91,732 000 lekë
Bashkia Gramsh 82,000 000 lekë
Bashkia Sarandë 78,000 000 lekë

-Të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit
Nga shkeljet në zbatimin e legjislacionit tatimor 220,430 000 lekë
Nga shkeljet e legjislacionit në mbledhjen e sigurimeve shoqërore 62,887 000 lekë
Nga shkeljet në zbatimin e kodit doganor 1,388,745 000 lekë
Nga keqadministrimi i pronës shtetërore të dhënë me qera dhe koncesione 19,787 000 lekë
Nga shkeljet në zbatim të legjislacionet për taksat dhe tarifat vendore 78,395 000 lekë
Nga keqadministrimi i projekteve me financim të huaj 706,103 000 lekë

-Dëmi ekonomik për buxhetin e shtetit
Në shpenzimet për paga, sigurime dhe shpërblime 133,296 000 lekë
Në shpenzimet operative 18,317 000 lekë
Në fondin e kujdesit shëndetësor 1,409 000 lekë
Në shpenzimet për investime 714,528 000 lekë
Në zbatimin e projekteve me financim të huaj 1,970,490 000 lekë
Në koncesionimin e pronës shtetërore 10,986,885 000 lekë

-Borxhi në dogana, tatime dhe sigurime
Vlera e borxhit tatimor në sektorin e tatimeve 41,999,457 000 lekë
Vlera e borxhit doganor në sektorin e doganave 3,330,445 000 lekë
Vlera e borxhit në fushën e sigurimeve shoqërore 5,845,560 000 lekë

Efekte negative në buxhet
Në shpenzimet për paga, sigurime dhe shpërblime 146, 079 000 lekë
Në shpenzimet operative 1,471,289000 lekë
Në fondin e kujdesit shëndetësor 1,819,750 000 lekë
Në shpenzimet për investime 1,207,379 000 lekë
Shpenzime nga ngritja e platformës së panevojshme në MAS 1,816,175 000 lekë

Rekomandime të KLSH për organet shtetërore për vitin 2018
Krijimin e menjëhershëm të Këshillit Fiskal, si një autoritet i cili duhet të mbikëqyrë përputhshmërinë me rregullat fiskale, monitorojë konsolidimin fiskal, përfshirë saktësinë e parashikimeve makroekonomike, cilësinë e planifikimit buxhetor afatmesëm, si dhe të japë rekomandime që lidhen me qëndrueshmërinë fiskale dhe makroekonomike.

Përzgjedhja e këtij Këshilli t’i largohet praktikave formale të konstatuara gjatë konstituimit të bordeve të ngjashme, ndërkohë që gjykojmë se kriteret e përzgjedhjes së personave duhet të jenë të forta si referuar kapacitetit profesional dhe integritetit të personal, ku kusht me rëndësi është përvoja e konsoliduar në menaxhimin e financave publike.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të marrë të gjitha masat për përmirësimin e faqe metodologjisë së përdorur për parashikimin dhe zbatimin e programit të të ardhurave buxhetore në mënyrë që të eliminoje devijimet e shumta ndërmjet të ardhurave të vlerësuara në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal 2016-2018 dhe të ardhurave të mbledhura nga Administrata Tatimore dhe Doganore.

Strukturat drejtuese të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të rrisin bashkëpunimin nëpërmjet tyre për deklarimin e saktë të të dhënave duke kryer rakordime të vazhdueshme, në mënyrë që të shmangen diferencat në raportime lidhur me shpenzimet kapitale me financim të huaj.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë të marrë masat për krijimin e një sistemi të unifikuar të dhënash dhe në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, ministritë e linjës dhe njësitë zbatuese, të mundësojë evidentimin e saktë të projekteve me financim të huaj që në fazën e çeljes së llogarive të tyre, nënshkrimit të kontratave me donatorët dhe ndjekjen e mëtejshme të ecurisë së disbursimeve dhe shpenzimeve kapitale të tyre, nga viti në vit.

Të kërkohet që nga strukturat e Auditit të Brendshëm (të njësive shpenzuese përfituese) të jepet siguri për shifrat e paraqitura si projekte me financim të huaj dhe grande në vlerë dhe në natyrë, për çdo vit buxhetor.

Të merret në konsideratë që në raportimin mbi raportin e borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, vlera e cila do të përdoret për llogaritjen e PBB të jetë konsistente dhe në bazë të një përcaktimi zyrtar të pandryshueshëm për kryerjen e analizave në të njëjtën bazë krahasuese dhe mos lënien e hapësirave për interpretim të këtij treguesi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë të marrë masa për vënin në eficencë të sistemit të informatizuar të menaxhimit të dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë për të mundësuar eliminimin e vonesave në realizimin e pagesave të programuara.

Nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të hartohet një kuadër i qartë regullativ (rregullore apo udhëzim), mbi procedurat për argumentimin e pamundësisë së financimit nga buxheti vjetor i shpenzimeve që kërkohen të përballohen nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit, mënyra e llogaritjes së kostos për fondin e kërkuar, si dhe të përcaktohen rregulla të qarta mbi afatet e paraqitjes për mendim, para se të shqyrtohen këto projekt-vendime në Këshillin e Ministrave.

Në kushtet kur ristrukturimi i qeverisë, prek edhe shkrirje, ndarje apo bashkime të institucioneve shtetërore, merr rëndësi nxjerrja e një udhëzimi që do të krijojë konsistencën me të cilin do të realizohet transferimi kontabël i aktiveve, të drejtave dhe detyrimeve nga një strukturë në tjetrën. Në mungesë të një veprimi të tillë procesi do të reflektojë konfuzion dhe pasaktësi të mëdha.

Të ngrihet një drejtori e veçantë, e mirë organizuar dhe me kapacitete të spikatura në fushën e kontabilitetit, brenda Drejtorisë së Thesarit e cila do të mundësojë përshtatjen e pasqyrave të nxjerra nga sistemi i integruar në formën e Pasqyrave të Konsoliduara të Shtetit. Kjo drejtori duhet të ketë si funksion kontrollin e saktësisë së pasqyrave të përgatitura nga institucionet publike, vënien nën monitorim të këtij proces të rëndësishëm si dhe përmirësimin e Standardeve të Raportimit Financiar dhe cilësisë së Raportimit Financiar përmes rritjes së kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturës së IT-së./shqiptarja.com