Qosja lavdëron Edi Ramën

E publikuar: 21/10/2016 12:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Akademik Rexhep Qosja ka folur për debatin e fundit që është krijuar si pasojë e pjesëmarrjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Forumin e Sigurisë në Beograd, ku ai ka dhënë disa deklarata për Kosovën dhe të cilat pastaj janë komentuar në mënyra të ndryshme në Prishtinë dhe Tiranë.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Qosja i ka vlerësuar pozitivisht deklaratat e Ramës në Beograd për Kosovën.

“Nuk ngurroj të them se fjalimet e Edi Ramës në Beograd me nivelin e tyre janë leksione politike dhe intelektuale për klasën politikë serbe. Kjo e vërtetë e nderon politikën shqiptare në përgjithësi”, ka thënë Qosja.

Sipas Qosjes, kryeministri Rama me deklaratën e tij në Beograd ia tha Serbisë dy të vërteta të mëdha. “Me atë deklaratë kryeministri Edi Rama, me dhuntinë e tij krijuese, ia tha Serbisë dy të vërteta të mëdha, shumë të mëdha: e para, i tha Serbisë se Trepça është resurs i madh, tepër i madh, natyror, që kurrsesi, me kurrfarë mjetesh, nuk mund të nxirret prej vendit natyror, gjeografik, ku gjendet prej Kosovës dhe, e dyta, se Kosova është shtet i pavarur dhe më vete, që vendos vetë, pavarur, për të gjithë dhe të gjitha, që janë në hapësirën e saj gjeografike, njerëzore e shtetërore”, është shprehur Qosja.

Ndaj paraqitjes zyrtare të Edi Ramës në Beograd dhe në Nish, pati shumë reagime të zyrtarëve, të medieve dhe të individëve të ndryshëm në Prishtinë dhe Tiranë por, sipas akademik Qosjes, “për shumëkënd këto reagime në Prishtinë e në Tiranë mund të jenë befasi e madhe, e papritur e madhe”.

Kurse reagimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, akademik Qosja e ka quajtur të mjerueshëm. “Mjerisht, një mijë herë mjerisht, Kosova nuk mund të quhet, ashtu si e quan Ministria jonë e Jashtme, ‘shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon’.

Duke iu referuar deklaratave të Edi Ramës, Qosja ka thënë se kjo është e drejtë natyrore dhe politike e popullit shqiptar të Shqipërisë për t’u interesuar për vëllezërit e vet në Kosovë dhe kudoqofshin. Ai ka theksuar se prej përfundimit të luftës çlirimtare në Kosovë, Shqipëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë shumë punë për Kosovën, për njohjen e saj shtet i pavarur e më vete, për pranimin e saj në organizata e në institucione të ndryshme ndërkombëtare. “

Qosja në këtë intervistë ka folur edhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Akademik Qosja e ka komentuar edhe iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për zbardhjen e krimeve gjatë dhe pas luftës. “Kërkesa e Hashim Thaçit “për t’u zbardhur, si e thatë ju, të gjitha krimet gjatë dhe pas luftës”, është përsëritje e kërkesave me qindra herë të përsëritura gjatë 16 vjetëve të shkuara të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të gazetës së saj “Bota sot”. Prej se është bërë kryetar i Kosovës, jo vetëm me këtë kërkesë, jo vetëm me ato katër letra, Hashim Thaçi kur e kur po paraqitet njëkohësisht si kryetar e si kryeministër, kurse tani në fund, edhe si Prokurori e Gjykatë e Kosovës!