QKRMT: Vonesat për shqyrtimin e aplikacioneve dekurajojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale

E publikuar: 05/02/2019 09:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka shprehur shqetësimin për kohëzgjatjen e trajtimit të kërkesave për njohjen e statusit për personat e dhunuar gjatë luftës.

Në njëvjetorin e fillimit të pranimit të aplikacioneve për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, QKRMT ka thënë se vonesat dhe pritjet në shqyrtim të aplikacioneve kanë shkaktuar reagime dhe pakënaqësi te aplikuesit.

“QKRMT vlerëson punën e Komisionit në trajtimin e kërkesave, mirëpo shpreh shqetësimin për kohëzgjatjen e trajtimit të tyre. Ka raste të cilat janë duke pritur për më shumë se dhjetë muaj për shqyrtimin e aplikacionit. Vonesat dhe pritjet në shqyrtimin e aplikacioneve kanë shkaktuar reagime dhe pakënaqësi të aplikantëve. Në veçanti këto pritje janë dekurajuese për të mbijetuarit që ende janë në dilemë për të aplikuar apo që nuk kanë mbështetjen e familjes për këtë proces”, thuhet në një reagim të QKRMT-së.

Dje u bë e ditur se për një vit janë dorëzuar rreth 900 kërkesa për njohjen e statusit, nga të cilat rreth 200 personave u është njohur statusi “viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës”, ndërsa rreth 100 kërkesa janë refuzuar.

QKRMT thotë se vetë ka dërguar në Komision 214 kërkesa, nga të cilat 41 aplikuesve iu është njohur statusi, një është refuzuar, një është në proces të rishqyrtimit e të tjerët janë në pritje të përgjigjes. Bëhet e ditur se pesë rasteve që iu është refuzuar kërkesa për njohjen e statikut, QKRMT u ka përgatitur paditë për gjykatë.

“Në vazhdën e kontributit në procesin e njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale, në muajt e fundit QKRMT ka inicuar krijimin e procedurave gjyqësore për trajtimin e Padive të palëve që iu është refuzuar njohja e statusit nga Komisioni. QKRMT ka realizuar takime me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ka adresuar qështjet për trajtimin e këtyre rasteve pranë gjykatës”, thuhet në njoftim.

Më tej, QKRMT ka thënë se organizimi i Komisionit dhe modeli i Kosovës po vlerësohet ndërkombëtarisht si ndër më të mirët në fushën e reparacionit për viktimat e dhunës seksuale në konflikte.

“Praktika e Kosovës u prezantua në organizimet ndërkombëtare, si në konferencën ndërkombëtare ‘Nga fjalët në vepra: riparimi i plagëve të dhunës seksuale nga koha e luftës’, organizuar nga Dr. Denis Mukwage Foundation, në Hagë. Së fundi, praktika jonë një vëmendje të veçantë mori edhe në New York, në takimin konsultativ mbi iniciativën globale për krijimin e fondit ndërkombëtar për dëmshpërblimin e viktimave të dhunës seksuale në konflikte”, shkruan QKRMT.