Punësimi në KEK vetëm bazuar në legjislacionin në fuqi

E publikuar: 11/05/2019 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinion e gjerë publik se punësimi në korporatë bëhet vetëm pas zhvillimit të gjitha procedurave të rekrutimit në përputhje të plotë me Ligjin e Punës në fuqi, Udhëzimet Administrative të aplikueshme si dhe rregulloreve të brendshme të KEK-ut.

Si rrjedhojë ju bëjmë me dije se, Menaxhmenti i Korporatës Energjike të Kosovës nuk i nënshtrohet dhe nuk lëkundet nga asnjë presion i grupeve të caktuara të interesit apo qofshin ato edhe grupe politike.

Korporata Energjetike e Kosovës është ndërmarrje publike dhe pasuri e gjithë qytetarëve të Kosovës, prandaj si të tillë kemi përgjegjësi juridike dhe morale ta ruajmë nga çfarëdo interesi tjetër.

Në këtë drejtim, janë të pa pranueshme deklaratat dhe paralajmërimet për protesta me qëllim të ushtrimit të presionit për të punësuar grupe njerëzish pa respektuar procedurat e konkursit e duke bërë shkelje ligjore.

Korporata Energjetike e Kosovës është kompania publike me e suksesshme në vend dhe kjo është arritur falë përkushtimit dhe punës shumë të madhe që është bërë tash e mbi një dekadë.

Kemi arritur ta ruajmë Korporatën nga mbi punësimi përkundër nevojave të mëdha për kuadro të kualifikuar dhe moshës mesatarë shumë të lartë të punëtorëve.

Kemi investuar miliona në komunitet dhe i jemi gjendur afër qytetarëve të Obiliqit dhe Komunës për çfarëdo nevoje që është paraqitur.

Kemi investuar miliona në përmirësimin e ambientit dhe kemi marrë pjesë me stafin dhe gjithë makinerinë punuese për të pastruar fshatra dhe lumenj në gjithë regjionin e Obiliqit dhe Prishtinës.

Kemi kryer obligimet tona ndaj banorëve të zonave të dislokuara me përgjegjësi të lartë duke respektuar të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare.

Kemi bërë maksimumin që në afat rekord t’i kryejmë të gjitha obligimet tona financiare pavarësisht kostos së lartë dhe mbivlerësimin që i është bërë aseteve të banorëve që kanë qenë në zonën e interesit nacional./Infosot/