Publikimi si linçim

E publikuar: 11/08/2015 22:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Baton Haxhiu

Lista e të akuzuarve eventualë në Gjykatën Speciale nuk ekziston. Ekzistojnë hulumtime të rasteve nga prokurorët dhe linçime të mediave për emra të përveçëm.

Është e ditur se në Kosovë ka pasur krime. Disa njerëz e kanë tepruar me “heroizëm”, duke shkelur rregullat e luftës. Por, nuk ka pasur një koncept për vrasje masive. Për një arsye të thjeshtë: S’kemi pasur as mundësi, as fuqi për ta bërë një gjë të tillë. Një pamëshirësi serbe ka mundur të shoqërohet me një hakmarrje të pafuqisë së një ushtari.

Viktimat e mundshme të luftës janë pjesë e vuajtjes që kanë pasur shqiptarët dhe pjesë e pafuqisë dhe hidhërimit të luftëtarëve të UÇK-së, që me sy të vetë kanë parë dhe përjetuar vrasjet dhe djegiet e shumta gjatë ofensivave serbe.

Dhe vrasjet e ndonjë ushtari të UÇK-së, nga kjo distancë kohore, mund të quhen krim. Por, ama, ka pasur momente dobësie që etika e lirisë dhe luftës është abuzuar me logjikën e hakmarrjes.

Mirëpo, ajo që nuk falet është krimi i pasluftës. Nuk dua të shtoj asgjë më shumë nga një rast të përshkrimit brutal të një ngjarje që Arben Idrizi e kishte në shkrimin e tij. Nga ky rast kuptova që nuk është sasia që e bën krimin më barbar dhe më të keq sesa një vrasje e pashpirt e një plake.

Kuptohet, kemi heshtur gjatë për individë që kanë qenë kriminelë dhe po vuajmë për vite, sepse nuk i kemi dënuar publikisht dhe nuk janë burgosur dhe gjykuar nga drejtësia. Dhe nuk na ka ndalë askush që t’i publikonim. Është gënjeshtër e madhe publike nëse dikush thotë se kanë qenë të ndaluar të publikohen rastet dhe vrasjet.

Por, pse nuk u botuan kriminelët por u botuan emrat e përveçëm në një kohë kur përfundoi votimi për ndryshime kushtetuese, qe çonin në themelim e Gjykatës Speciale.

Ndonjëherë më ngulitet në mendje ndonjë padrejtësi që u bëhet emrave të përveçëm. Meqë jam njeri që jeton në një vend demokratik dhe i lirë si të ma dojë qejfi, nisem e bej gazetarinë që di dhe kur duhet ia përplas në fytyrë, kujtdo, pyetjen që më shqetëson.

Natyrisht, botimi i emrave nga një koleg, duke u thirrur ne burim anonim ndërkombëtar, ka vënë në lajthitje plot media, edhe Klan Kosovën dhe ekipin e lajmeve, duke i bërë udhëheqësit medialë më shumë kureshtarë për një të vërtetë të supozuar sesa të gjejnë kohë që të gjurmojnë arsyet e daljes publike të kolegut me lista konkrete.

Kështu si kanë vepruar kolegët e mi në Klan Kosova, kanë shkelur rëndë procedurat dhe etiken profesionale.

Ideja për protagonizëm me ngulm nuk do ia bëjë jetën e lehtë për të vërtetuar supozimet që do mungojnë.

Nuk u befasova me guximin e tij, sa me mungesën e etikes profesionale, sepse, qoftë edhe një emër i apostrofuar për Gjykatën Speciale, që do të mungojë në momentin kur dorëzohen aktakuzat, do të jetë e rëndë për profesionin e gazetarisë, për faktin se i japim vetes të drejtë të gjykojmë dikë para kohe. Nuk po flasim për një emër të përveçëm. Po flasim për familjet e tyre që vuajnë një të vërtetë të pavërtetë. Një gjykim të pagjykuar dhe një vendim në procedurë të pamarrë ende.

Klan Kosova, mediumi që unë udhëheq, ka bërë një shkelje etike në profesion. Standardet që ne si ekip aplikojmë në gazetari dhe për lajmin në përgjithësi janë thyer me burime anonime. Nuk dua të gjykoj për mediat tjera, sepse ka kohe që disa prej tyre janë frymëzuese të gënjeshtrës dhe gjykimeve personale brenda lajmit. Asnjëherë nuk provojnë të shoqërojnë tekstin me fakte dhe aq më pak të kenë dëshirë për të hulumtuar ngjarjet.

Ata nuk profetizojnë, vënë bast, pandehin, supozojnë, jo, ata e dinë se kush do të jenë të akuzuarit, ata janë të sigurt se kush do të jenë të dënuarit e Gjykatës Speciale: analistët, portalet dhe gazetat e Kosovës dhe ato të Maqedonisë i dinë të gjitha dhe para kohe, ngase ua tregojnë burimet e tyre të shumta ndërkombëtare, të cilat po bëmë t’i kalkulojmë, konstatojmë pa hamendje se e gjithë diplomacia perëndimore punuaka si informuese e mediave tona. Pse jo?

Pyetja është; Pse i dinë të akuzuarit, “gjenitë” e mediave shqipe, kur ata nuk mundet t’i dijë as vetë Prokurori amerikan Clint Williamson?

Si?

Po.

Nuk mundet t’i dijë jo për arsye se ai nga puna trevjeçare e tij nuk e ditka se cilët emra i ka stërlexuar në raportin e famshëm të Dick Marty-t dhe cilët persona i konsideron si të paditshëm, porse edhe Prokurori vetë nuk mund të funksionojë sipas praktikës së vendeve totalitare, atyre ku despoti mjafton ta përpilojë një listë për ta mbyllur sot e përjetë madje edhe një qytet të tërë në llogore e burgje e lere më kur bëhet fjalë vetëm për një grup njerëzish.

Williamson nuk mund t’i dijë as vetë, sepse ai detyrën e tij duhet ta ushtrojë brenda një Gjykate e cila de facto ende duhet të themelohet.

Pra, ende nuk ekziston Gjykata.

Kur të themelohet Gjykata, atëherë Williamson, konform procedurave ligjore perëndimore – e jo atyre imagjinare të mendësisë së mediave shqiptare – do t’i kërkojë atij Tribunali të drejtën për intervistime, ndjekje, ekspertiza, (ri)sigurimin dhe (ri)intervistimin e dëshmitarëve, dëgjime, e kështu me radhë. Pasi Gjykata të konsiderojë se Prokurori ka bërë punën si duhet, pra ka trashur dosjet e tij sipas të gjitha rregullave procedurale, ia pranon padinë kundër X-it, Y-it e kështu deri tek arrestimet e mundshme dhe leja për hapjen e proceseve gjyqësore.

Kështu funksionon gjyqësia në perëndim.

Kështu do ta bëjë punën edhe Gjykata Speciale, themelimi i së cilës para pak ditëve u aprovua edhe nga Parlamenti i Kosovës.

Po listat? Ato nuk ekzistojnë. Këtë e kap me tru çdo njeri normal, madje këtë e kuptojnë edhe ata që logjikën e shfrytëzojnë vetëm herë pas here. Atëherë, përse mediat manipulojnë me diçka inekzistente?

Për ne që bëjmë media e punojmë në to, edhe kjo ka një përgjigje fare logjike, konkrete:

Lexuesit sigurisht tashmë e kanë vërejtur sistemin e disa portaleve, gazetave e agjencive tona, të cilat janë në gjendje t’i japin hapësirë kujtdo, nëse shfaqja e tij ua garanton vërshimin e klikimit të faqes së tyre virtuale.

Pra, disa prej tyre janë në gjendje t’i fotografojnë pa leje edhe kufomat, viktimat e aksidenteve e të llojit, vetëm sa për ta popullarizuar adresën e tyre të internetit. Kjo është arsye pse ato mezi presin që dikush të shpikë lista, komplote, ta thotë ndonjë absurditet që të lë pa mend ose ta paralajmërojë vrasjen e dikujt.

Po kjo nuk është morale, do të bërtiste lexuesi normal, ai që shpesh bie pre e kampanjave të mediave të tilla. Natyrisht që nuk është etike kjo sjellje, por kjo mund të evitohet vetëm atëherë kur numri i lexuesve racionalë që refuzojnë kategorikisht adresa të tilla të bëhet aq i madh saqë botuesit dhe sajuesit e mediave të tilla të dorëzohen e të ndërgjegjësohen duke hequr dorë përfundimisht nga tallja e opinionit publik – nënçmimi dhe fyerja e lexuesve. E kjo nuk do të ndodhë aq shpejtë; ndalja e fabrikimit të rrenave kolosale si të vërteta të mundshme.

Lista e të akuzuarve në Gjykatën Speciale nuk ekziston.

Ekzistojnë vetëm dëshmitarët dhe mbi 200 intervistime dhe supozime për krime të mundshme.