Pse Edi Rama nuk e ka seriozisht bashkimin kombëtar?!

E publikuar: 13/04/2015 23:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dastid Pallaska, Lumir Abdixhiku e Blerim Latifi e quajnë joserioze deklaratën e Edi Ramës për bashkimin shqiptar.
Një panel i përbërë nga pesë analistë, dhe një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, po debatojnë në emisionin Shqip të Rudina Xhungës, lidhur me deklaratat e fundit të Edi Ramës, Kryeministrit Shqiptar, se nëse Bashkimi Europian nuk tregohet e kujdesshme ndaj shqiptarëve, atëherë këta të fundit do të bashkohen.

Mustafa Nano, madje, tha se Edi Rama as nuk beson në këto që po i thotë. Ai këtë e quan një mashtrim, sepse ai e njeh Ramën si kozmopolitan dhe aspak nacionalist.

Në anën tjetër, analisti Dastid Pallaska, ka thënë se tashmë ka ikur koha e ribashkimeve të tilla. Sipas tij projekti i Bashkimit Europian është ai që duhet të na orientojë ne shqiptarëve.

Lumir Abdixhiku, nga ana e tij, i ka vënë në pah se dy qeveritë jo që nuk e kanë seriozisht bashkimin shqiptar, por as nuk mund t’i kryejnë disa modifikime të thjeshta ligjore. Sipas tij bizneset e Kosovës në Shqipëri janë tërësisht të diskriminuara, madje më të diskriminuara se sa në raport me plasimin e tyre në Bashkimin Europian.

Filozofi Blerim Latifi ka theksuar se për bashkimin shqiptar nuk ekzistojnë asnjë projekt serioz, përtej retorikës boshe.