Policia nuk e ruan shtëpinë ku duhet të qëndrojë Enver Sekiraqa

E publikuar: 20/10/2017 20:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Enver Sekiraqa para kolegjit të Gjykatës së Apelit, kishte ofruar pasuritë e tij, si masë dorëzanie për ta liruar nga paraburgimi. Kërkesën me shkrim, avokatët e tij e kishin dorëzuar në këtë gjykatë në fillim të këtij muaji dhe pak ditë më pas, kanë marrë përgjigjen.

Pasi kishte qëndruar për disa vite në paraburgim, Enver Sekiraqa i dënuar me 37 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me një vendim të Gjykatës së Apelit, e ka kthyer në masën e arrestit shtëpiak. Shtëpia e tij, gjendet fare afër me stacionin numër tre të Policisë së Kosovës.Dhe kjo mund të jetë arsyeja që nuk ka asnjë polic pranë shtëpisë ku pretendohet se ai është duke banuar nga e enjtja, ani pse për 5 vjet ishte në arrati, larg duarve të policisë së Kosovës.

KTV-ja ka siguruar urdhrin e gjykatës së Apelit, me të cilin është ndryshuar masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Përveç ndryshimit të masës, gjykata e ka udhëzuar Sekiraqën që të mos lëvizë nga objekti ku banon, e as të mos kontaktojë me personat me të cilët nuk jeton, derisa i rikujtohet se masa e paraburgimit mund t’i kthehet, nëse ai nuk e respekton urdhrin.
Rasti i Sekiraqës, bazuar në burimet të televizionit brenda gjykatës, do të kthehet në rigjykim, por një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar zyra për media e Gjykatës së Apelit.

“Vendimi u mor pas shqyrtimit të kolegjit të Gjykatës së Apelit. Arsyetimi i këtij vendimi për të ndryshuar masën e paraburgimit për të pandehurin nga masa e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak, do të përfshihet në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media të Gjykatës së Apelit.

Aktgjykimi me shkrim, sipas Kodit të Procedurës Penale, duhet të shkruhet 30 ditë nga paralajmërimi, ndërsa mund të shkojë deri në 3 muaj, me kërkesë të kryetarit të trupit gjykues.

Në maj të vitit 2016, Enver Sekiraqa, pasi ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat: Shtytje për të kryer vrasje të rëndë, dhe për veprën penale të me gjithsej 37 vjet burgim.Disa vjet në kërkim si i dyshuar me në lidhje me vrasjen e policit Triumf Riza, Sekiraqa i ishte dorëzuar organeve të drejtësisë në vitin 2012.