PDK në Gjilan kryen punë të pushtetit

E publikuar: 10/03/2015 10:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dega e PDK-së në Gjilan po ndërmerr nisma, për punë që siç thonë ata nuk po i kryen qeverisja komunale.

Por udhëheqja komunale e Gjilanit, po ia rikujton subjektit politik opozitar se ka pasur  kohë të dëshmohet, duke udhëhequr dy mandate me Gjilanin, duke i lënë të trashëguara borxhe të mëdha.

Gjithë kjo po ndodh kur drejtues të degës së PDK-së, ndërmorën një nismë, që të pajisin qendrat e mjekësisë familjare me barna dhe që të organizojnë transportin e nxënësve, formë kjo që nuk i ka pëlqyer qeverisjes komunale.

Fatbardha Selmani, këshilltare komunale nga radhët e PDK-së, thotë se edhe tash si opozitë, po mëtojnë që t’u dalin në ndihmë pacientëve dhe se po mundohen “t’ia hapim sytë” qeverisjes komunale dhe të japin shembullin praktik të përkushtimit dhe të vullnetit të mirë për të bërë punë të prekshme, qofshin ato edhe punë të vogla.

“Ne kemi bërë blerjen e barnave esenciale me taksat lokale përgjatë viteve të qeverisjes sonë, e nuk jemi koritë me pacientët dhe me qytetarin tonë. Ne transportuam edhe nxënësit deri në shkolla e ju nuk po e bëni asnjërën prej këtyre”, ka thënë Fatbardha Selmani.