Pacolli ironizon, BE-ja ia kujton se Bjellorusia mori vetëm lehtësim të vizave e jo liberalizim

E publikuar: 14/05/2020 18:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka ironizuar me vendimin e Evropës që të lehtësojë lëshimin e vizave për Bjellorusinë, duke kërkuar reagim nga përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorit të Gjermanisë, se pse Kosovën e kanë lënë vendin e vetëm të izoluar në Evropë. Reagimit i janë përgjigjur shpejt të apostrofuarit nga kreu i AKR-së.

Të mërkurën Parlamenti Evropian votoi pro lehtësimit të procedurave të qarkullimit për bjellorusët drejt BE-së. Marrëveshja për liberalizim të vizave ishte aprovuar me 634 vota pro, ndërsa 48 ishin kundër. Katër ishin abstenime. Nën marrëveshjen e re, pagesa e vizës për bjellorusët dhe shtetasit e Bashkimit Evropian që udhëtojnë në territore të tjera për 90 deri në 180 ditë, do të reduktohet në 35 euro. Afati kohor i konsullatave për të shqyrtuar aplikimet do të reduktohet në dhjetë ditë.

Ndaj këtij votimi ka reaguar Pacolli që deri para Qeverisë Kurti, ishte ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës. Ai me ironi ka uruar Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare që votuan për lehtësim të vizave për bjellorusët.

“Urime Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare që gjetën guximin të ecin përpara me lehtësimin e vizave me Bjellorusinë dhe që vazhdojnë të mbajnë Kosovën të vetmin vend të izoluar dhe pa mundësi të lëvizjes së lirë në Evropë. Do të doja të shihja se çka kanë për të thënë tash Nataliya Apostolova (përfaqësuese e BE-së në Kosovë) dhe ambasadori gjerman?” ka shkruar Pacolli në Twitter.

Shpejt ka ardhur reagimi i Heldtit. Në një përgjigje të shkurtër, ai i ka bërë të ditur Pacollit se s’bëhet fjalë për liberalizim të vizave, por vetëm për lehtësim.

“Epo, pse nuk duhet për hir të njerëzve atje të aplikojmë të njëjtën që e bëjmë në Kosovë që nga pavarësia më 2008? Lehtësimi i vizave nuk është liberalizim. Vetëm që të sqarojmë për çka po flasim”, ka shkruar ai.

Më vonë ka reaguar edhe Apostolova. Edhe ajo i ka kujtuar Pacollit se lehtësimi i vizave s’është sikur liberalizimi që po e kërkon Kosova.

“Marrëveshja e BE-së për lehtësim të vizave me Bjellorusinë është kategori nën atë të Liberalizimit të vizave të cilën Kosova është afër ta përmbyllë me BE-në. Marrëveshja e lehtësimit është hap fillestar për të siguruar lëshim më të lehtë të vizave dhe jo për t’i shfuqizuar ato. Kosova anashkaloi këtë hap dhe shkoi direkt në liberalizim të vizave. Andaj BE-ja nuk ka prezantuar liberalizim të vizave me Bjellorusinë, as nuk ekziston një mandat i tillë aktualisht. Në anën tjetër, BE-ja dhe Kosova janë në fazën e fundit të konkludimit të dialogut për viza që do të rezultojë në liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Apostolova.

Edhe drejtori i institutit “EPIK”, Demush Shasha, ka thënë se Kosova duhet t’i gëzohet lehtësimit të qarkullimit për banorët e shtypur të Bjellorusisë.

“Kosova, me të drejtë, kishte përjashtuar lehtësimin e vizave dhe kërkoi liberalizim. Ne duhet të shmangim një regres në lehtësim të vizave dhe të nxjerrim përfundim të gabuar me vendimin për Bjellorusinë”, ka shkruar ai.