Pacolli injoron Kuvendin, me letër u kërkon deputetëve sugjerime për INTERPOL

E publikuar: 05/11/2018 19:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kur kanë mbetur pak ditë nga votimi për pranimin e Kosovës në INTERPOL, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bojkotuar mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme.

Por, mungesën e tij Pacolli e ka arsyetuar me një letër, në të cilën ka kërkuar nga komisioni që t’ia dërgojnë atij sugjerimet me shkrim rreth përpjekjeve që Kosova po i bën për anëtarësim në INTERPOL, raporton KTV.

Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, ka thënë se komisioni po e fton vazhdimisht për raportim ministrin e jashtëm, mirëpo, me gjithë insistimin, ky i fundit nuk i është përgjigjur pozitivisht.

Andaj, ajo ka theksuar se personalisht do t’ia kthejë përgjigjen Pacollit duke i treguar se është vonë për këto sugjerime.

Në këtë mbledhje, gjithashtu, është diskutuar për caktimin e një eksperti për Strategjinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ndërparlamentar dhe zgjerimin e listës së ekspertëve për grupet punuese.

Vjosa Osmani ka thënë se ekziston një listë me ekspertë që prej vitit 2008 dhe ka propozuar tre emra të rinj për zgjerim të listës.

Të propozuarit e saj ishin tre ekspertët e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Qerim Qerimi, Kushtrim Istrefi dhe Donikë Qerimi, ndërsa me propozime të tjera listës iu shtuan edhe Dren Doli dhe Blerim Reka.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për Ligjin për Diasporën, ku deputeti Glauk Konjufca kërkoi që të mos ngutet për këtë ligj pasi, sipas tij, duhet të diskutohet më shumë që ligji i ri të mos jetë i ngjashëm me atë të mëparshmin.