Një ridizajnim në themele po vjen në Snapchat

E publikuar: 08/11/2017 16:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Snap do të ridizajnojë aplikacionin e komunikimit Snapchat në përpjekje për të arritur një audiencë më të gjerë ndërsa presioni nga Wall Street po shtohet dita ditës nga rritja e ngadalësuar e numrit të përdoruesve.

Firma kaliforniane raportoi një tjetër tremujor poshtë pritshmërive ndërsa konkurrenca me Instagram në pronësi të Facebook ka pasur pasoja shkatërrimtare për shërbimin popullor tek të rinjtë.

Aksionet ranë me 20% dhe sot vlerësohen me 12.57 dollar, shumë më pak sesa 17 dollar kur doli në bursë në fillim të vitit.

Që kur doli si një kompani publike, Snap ka zhgënjyer investitorë në secilin prej raporteve të publikuara.

Numri i përdoruesve arriti në 178 milion, më pak sesa kishin parashikuar analistët prej 181.8 milion.

Shefi ekzekutiv Evan Spiegel tha se ridizajnimi vjen pas ankesave të përdoruesve se aplikacioni ishte i vështirë për tu përdorur.

27 vjeçari tha se kjo lëvizje pritet të shkaktojë jo pak polemika në një kohë afat shkurtër por do të provojë se është zgjidhja e duhur për të ardhmen dhe Snap është gati të ndërmarrë rreziqe.

Një ndryshim radik në dizajn është një rast i pazakontë për një kompani pak muaj pas daljes në bursë.

Të ardhurat e Snap nga reklamimi u rritën në 207.9 milion dollar nga 128.2 milion dollar.

Instagram kishte 500 milion përdorues aktivë në ditë muajin e kaluar ndërsa 300 milion prej tyre përdornin historitë. /PCWorld Albanian