Ngritën dyshime nëse PAN i ka votat për Veselin e Haradinajn

E publikuar: 31/07/2017 22:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet këtë të enjte.

Janë deputetë të koalicionit PAN ata që shprehen të bindur se gjatë kësaj seance Kadri Veseli do të marrë votat e duhura për tu emëruar kryetar i Kuvendit.

Ndërkohë që zyrtarë të LDK-së, thonë se koalicioni PAN nuk i kanë numrat as për zgjedhjen e kryeparlamentarit e as për formimin e qeverisë re.

Deputeti i zgjedhur nga LDK, Armend Zemaj thotë se koalicioni PAN vetëm po trumbeton mundësinë e zgjedhjes por që nuk i kanë mjaftueshëm deputetët.

“Së pari janë dy procese të ndara, e dyta ajo çka është e njohur është se koalicioni PAN vetëm trumbeton mundësinë e zgjedhjes por që nuk i kanë deputetët e mjaftueshëm, ndërsa për veprimet e tona politike do të njoftoheni në ditën e mbajtjes së seancës” , ka thënë Zemaj.

Edhe njohës të çështjeve politike, thonë se nuk mund të dihet saktë nëse deputetet e zgjedhur përjashtim ata të PAN-it do të votojnë për koalicionin PAN për formimin e qeverisë.

Analisti, Nexhmedin Spahiu konsideron se është punë e vështirë për ta besuar se deputet që kanë premtuar Kadri Veselin dhe Ramush Haradinaj, ta mbajnë fjalën.

“Nuk mundemi me ditë nëse deputetët që i kanë premtu votën Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit ta mbajnë fjalën. Është vështirë me ditë se a do ta mbajnë fjalën dhe që Haradinaj dhe Veselit ë vazhdojnë tutje”, ka thënë Spahiu.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka ftuar deputetët e rinj të zgjedhur në zgjedhjet e 11 qershorit në seancën konstituive kur në rend dite do të jenë tri pika: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.