MTI mbështet rritjen e konkurrueshmërisë në ekonominë kosovare dhe eksportin e prodhimeve vendore

E publikuar: 16/10/2018 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), organizoi sot Konferencën informuese për eksport.

Në këtë ngjarje, pos përfaqësuesve të MTI/KIESA-s, morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave dhe bizneseve vendore- prodhuese nga sektorë të ndryshëm.

Durim Limaj, këshilltar i lartë politik dhe shef i kabinetit të ministrit Endrit Shala, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë hyrëse duke i informuar me prioritetet dhe përkrahjen e MTI-së.
“MTI synon të rrisë konkurrueshmërinë e ekonomisë kosovare duke e bërë atë më tërheqëse për investitorët e huaj, por njëherësh mbështet zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe eksportet kosovare përmes aktiviteteve promovuese jashtë vendit” tha këshilltari Limaj.

Me këtë rast, z.Limaj foli edhe rreth aktiviteteve promovuese që ka realizuar MTI, si dhe i ftoi të pranishmit që të japin idetë dhe sugjerimet e tyre rreth aktiviteteve që planifikohen të realizohen për vitin në vijim. Ndër tjera, z.Limaj kërkoi nga prodhuesit që të fokusohen në kualitetin e prodhimeve të tyre për të qenë sa më të pranishëm në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

Ndërsa, Arbër Muhaxheri, drejtor i Drejtoratit për Promovimin e Sektorit Privat në KIESA, prezantoi shërbimet e agjencisë në funksion të promovimit dhe zhvillimit ekonomik.

Edhe drejtoresha e Departamentit të Tregtisë, Sytrime Dervisholli, i njoftoi të pranishmit rreth marrëveshjeve të tregtisë së lirë, në fokus të veçantë për ato që ndërlidhen me MSA-n.

Gjatë konferencës u zhvilluan diskutime rreth rezultateve të panaireve të realizuara nga MTI/KIESA, si dhe rreth koordinimit të aktiviteteve për të ardhmen.