Mospavarësia financiare pengon forcimin e lirisë së shprehjes

E publikuar: 03/05/2021 16:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Maqedoninë e Veriut ka liri të shprehjes, ajo nuk është e ndaluar, por problemi kryesor me mediat qëndron në varësinë e saj financiare nga qendrat e vendosjes, thotë Mlladen Çadikovski, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve, teksa komenton gjendjen e lirisë së mediave në këtë shtet.

“Nëse më duhet të përshkruaj me disa fjalë gjendjen në media, tani mund të them se kemi mjaft të shprehjes, të folurit në publik, të mendimit të lirë. Kjo nuk është e ndaluar. Kemi përmirësim nga e kaluara, por kemi një problem serioz që po na përcjell e që ka të bëjë me pavarësinë financiare të mediave. Kemi një numër shumë të madh të mediave që funksionojnë në një treg të vogël, të kufizuar, kështu që ekziston një tendencë e vazhdueshme e vetcensurës midis pronarëve të mediave, kryeredaktorëve e madje edhe gazetarëve. Nga ky aspekt nuk jemi të kënaqur me lirinë e madhe të medias sepse praktikisht nuk ka ndryshime të mëdha në atë që quhet treg mediatik”, thotë Çadikovski.

Isen Saliu, kryeredaktor i gazetës “Lajm”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në Maqedoninë e Veriut liria e mediave nuk është e garantuar dhe se shteti vazhdon të shpërblejë mediat varësisht raportimit të tyre apo qasjes së tyre ndaj institucioneve të shtetit.

“Mendoj se ka nevojë ende për punë nga ana e institucioneve për të krijuar kushte të barabarta për funksionim e mediave, ka nevojë të krijohen kushte dhe të merren masa shtesë posaçërisht gjatë pandemisë, situatë e cila ka vështirësuar funksionimin me mediave, me qëllim që të kemi një hapësirë që të gjitha mediat të kemi një terren të barabartë për të bërë garë të barabartë për të arritur deri tek opinioni”, thotë Saliu.

Sa i përket gjendjes në këtë fushë, Agjencia e Mediave, që është trupi rregullator i punës së mediave audio dhe audio-difuzive konsideron se “pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ka një ndikim negativ në performancën ekonomike të mediave dhe pluralizmit të mediave dhe kontribuon në shfaqjen globale të ‘infodemisë’, e cila tani më shumë se kurrë është e nevojshme për të ruajtur dhe mbrojtur pavarësinë e mediave dhe për të promovuar raportimin bazuar në fakte”, thuhet në komunikatën e kësaj agjencie.

Sindikata e Pavarur e Punonjësve Mediat thotë “liria e medias në Maqedoninë e Veriut mund të forcohet sikur shteti të mos ndajë para për mediat për gjoja fushata të ndryshme”, pasi sipas kësaj sindikate, në këtë mënyrë pasi në këtë arrin shumë lehtë të ndikojë në raportimin e tyre.

“Autoritetet në Maqedoni më në fund duhet të përmbushin premtimin dhe sa më shpejt të jetë e mundur të miratojnë propozimin që sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias të trajtohen si një sulm ndaj një zyrtari”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Në këtë kuadër, nga Shoqata e Gazetarëve ngrenë shqetësimin për sulmet ndaj gazetarëve dhe moszbardhjen e tyre nga institucionet, që lënë dyshime mbi përfshirjen e nxitjen e sulmeve.

“Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve nuk kanë asnjë epilog. Vitin e kaluar, nga 16 raste, vetëm një ishte zgjidhur, gjë që vërtet inkurajon persona të ndryshëm të vazhdojnë me kërcënimet në një mënyrë apo në një tjetër, kryesisht përmes rrjeteve sociale, por ndonjëherë kërcënojnë fizikisht dhe sulmojnë gazetarët. Ne kërkojmë që sulmi ndaj gazetarëve të trajtohet si sulm ndaj një zyrtari”, thotë kryetar i SHGM-së, Mlladen Çadikovski.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se i marrin seriozisht vërejtjet e shoqatave të gazetarëve dhe apelojnë që “çdo rast që ka të bëjë me çfarëdo presioni ose sulmi ndaj gazetarëve ose mediave të raportohet në polici si mënyra më e shpejtë për të luftuar dukuri të tilla”.

Sipas raportit të fundit të organizatës Reporterët pa Kufij, Maqedonia e Veriut është ngritur për dy vende në indeksin global të lirisë së medias dhe tani ndodhet në vendin e 92-të, por përballet me kritika për kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve dhe medias.

Sipas kësaj organizate, ndryshimet në Kodin Penal të hartuara nga Ministria e Drejtësisë, duhet të miratohen sa më parë, si një mundësi më e madhe në gazetarëve.