Ministria e Drejtësisë akuzon VV-në se njerëzit e saj kanë përfituar “miliona nga monopoli në noteri”

E publikuar: 08/07/2019 12:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate për media ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po ndërhyn për të mbrojtur monopolin në fushën e noterisë.

“Ministria e Drejtësisë e konsideron të pa pranueshme ndërhyrjen e qëllimshme politike të Lëvizjes Vetëvendosje në procesin profesional dhe konform standardeve ligjore të provimit të Noterisë, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si një përpjekje të hapur për të sabotuar një ndër reformat më të rëndësishme që mundësojnë qasje më efikase, më të shpejtë dhe sa më afër qytetarëve në shërbimet noteriale. Si një proces i realizuar ekskluzivisht mbi Ligjin për Noterinë dhe aktet tjera përcjellëse, organizimi i provimit të Noterisë dhe vlerësimet e komisionit profesional janë çështje ekskluzivisht profesionale dhe jo politike”

Sipas Ministrisë ndërhyrja e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë proces profesional është në dobi të grupeve të interesit.

“Një ndërhyrje e tillë e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë proces profesional, është në dobi ekskluzive të grupeve të interesit që për shkak të rrethanave të mungesës së numrit të mjaftueshëm të noterëve, kanë zhvilluar një praktikë të plotë të monopolit në shërbimet noteriale”.

Ministria e ka quajtur përpjeke për sabotim nga VV-ja për këtë proces.

“Vetëvendosje, duke u përpjekur të nxisë sabotimin e këtij procesi profesional, në fakt, po merr në mbrojtje me qëllim akterë të caktuar që kanë përfituar miliona euro nga monopolet e tyre në fushën e Noterisë”.

Ministria e Drejtësisë i siguron qytetarët se është e vendosur për të realizuar në plotni reformën që synon rritjen e numrit të noterëve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe në të gjitha komunitetet e saj pa dallim.