Mbyllet për qarkullim të automjeteve rruga “Shala e Bajgorës”

E publikuar: 30/05/2018 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga dita e enjte (31.05.2018) do të mbyllet për qarkullim rruga “Shala e Bajgorës” që përfshin segmentin e rrugës kryesore për hyrje në Mitrovicë, nga hekurudha afër urës kryesore mbi lumin Sitnicë e deri tek varrezat ortodokse, përkatësisht deri në kyçje në Magjistralen e Ibrit (Mitrovicë-Prishtinë).

Mbyllja e rrugës bëhet për shkak të asfaltimit të saj dhe do të zgjasë deri në shtruarjen e gjithë këtij segmenti rrugor, njofton Klan Kosova.

Në komunikatën e komunës së Mitrovicës thuhet se drejtuesit e automjeteve për të hyrë në Mitrovicë, mund ta shfrytëzojnë rrugën që kalon nëpër Tunelin e Biarit e që nga magjistralja ndahet në Shupkofc.

Ndërkaq, ata që kanë punë në Universitetin “Isa Boletinit”, mund të shfrytëzojnë rrugën që në Shupkofc ndahet nga magjistralja dhe kalon nëpër hyrjen e dytë të kompleksit industrial të Trepçës dhe çon në ndërtesën e Universitetit.

Kompania që i kryen punët do të vendosë sinjalizimin përkatës për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve që të pengojnë asfaltimin e rrugës.