Mbi 30 punëtorë të Aeroportit pushohen nga puna, nuk jepen arsyet

E publikuar: 03/03/2020 20:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zejnepe Bekteshi ka rreth 18 vjet që punonte në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Mirëpo, këtë të martë asaj i është shkëputur kontrata e punës. Bekteshi thotë se nuk i është dhënë asnjë arsye për këtë, raporton KTV.

Të njëjtin fat me të e kishte edhe Anda Kosha, e cila punonte në ANP tash e dy vjet.

Sipas punëtorëve, largimi nga puna erdhi për shkak se ishin pjesëmarrës në grevën e gushtit të 2019-s.

Kështu, këtë javë numri i të larguarve nga puna në aeroportin “Adem Jashari” është mbi 30.

E për Sindikatën e Aeroportit kjo gjë është e papranueshme.

Që nga koha e grevës, deri më tani numri i punëtorëve të larguar ka arritur mbi 60.

Kohavisioni ka provuar të marrë një përgjigje nga ana e zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, mirëpo ata nuk kanë qenë të qasshëm gjatë së martës.

Për të gjitha shkëputjet e kontratave në ANP, tashmë është njoftuar edhe Inspektorati i Punës, i cili ka nisur hetimet.