Masakra e Krushës së Madhe dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë

E publikuar: 26/03/2017 19:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në 18-vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe është kërkuar zbardhja e fatit të 64 të pagjeturve dhe dënimi i atyre që lanë të vrarë rreth 250 persona në këtë fshat.

Në akademinë përkujtimore, kryetari i Krushës së Madhe, Selami Hoti, tha se edhe pse kanë kaluar 18 vjet, familjarët e dëshmorëve dhe të zhdukurve vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, raporton KTV.

Hoti tha se në vend që drejtësia ndërkombëtare dhe ajo e Kosovës të merren me dënimin e kriminelëve, këta merren me dënimin e qytetarëve të cilët kërkojnë të dinë për fatin e familjarëve të pagjetur.

Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se asnjëherë nuk do të ndalen se kërkuari drejtësi.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, tha se ngjarjet që kanë ndodhur gjatë muajve mars, prill të vitit 1999, janë dëshmi e një gjenocidi dhe se bashkësia ndërkombëtare është e obliguar që ta pranojë se mbi këtë popull është bërë gjenocid.