Marshi dydekadësh i Ushtrisë

E publikuar: 15/12/2018 07:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rexhep Selimi e Daut Haradinaj janë deputetë të Kosovës dhe, të premten, bashkë me 105 kolegë të tyre votuan pro tri ligjeve që i dhanë mandat ushtrie Forcës së Sigurisë (FSK), por i cili do të mundë të ushtrohet plotësisht tek pas 10 vjetësh. Saktësisht të premten janë bërë 20 vjet prej kur ka rënë dëshmor Mujë Krasniqi.

Të tre këta, në 28 Nëntorin e 1997-s, befasishëm ishin paraqitur para një mase prej mijëra qytetarësh që po merrnin pjesë në varrimin e një mësuesi nga Skenderaj, të vrarë nga forcat serbe. Iu treguan kush ishin. Dhe masa u elektrizua.

“Nga gjiri i këtij populli lindi Ushtria për Çlirimin e Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve”, tha aty zëshëm Rexhep Selimi, i cili ndërpritet nga brohoritjet mbështetëse. “UÇK-ja ka katër vjet që u vu në ballë të luftës për çlirimin e Kosovës”.

Zyrtarisht kjo konsiderohet paraqitja e parë publike e UÇK-së, gueriles që u vu në ballë të lëvizjes së armatosur të popullit të Kosovës kundër regjimit të Serbisë që për vite rresht ushtronte dhunë sistematike ndaj shqiptarëve. Ushtria u masivizua. Në të u rreshtuan diku 18 mijë kosovarë, shkruan Koha Ditore.

Okupimit njëshekullor të Kosovës, Serbia i ka dhënë fund në qershor të 1999-s, dy vjet pas rezistencës së armatosur. Ajo shpalli kapitullimin pas një fushate ajrore ushtarake 78-ditëshe të NATO-s.

Menjëherë pas luftës UÇK-ja është marrë vesh me NATO-n që të çarmatoset. Ishte bërë kjo, konform Marrëveshjes së Kumanovës, por edhe Marrëveshjes së Rambuillet.