Lekaj provon ta arsyetojë ndarjen e 53 milionë eurove për Bechtel-Enkan, fajëson Zharkun

E publikuar: 08/06/2018 19:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njeriu që është prapa vendimit për t’ia dhënë 53 milionë euro shtesë kompanisë, Bechtel Enka, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka dalë në një konferencë për to, të premten pasdite.

Me shumë dokumente para vetes, Lekaj ka provuar të shpjegojë vendimin kundërthënës për ndarjen e këtyre parave, raporton KTV.

E ka vlerësuar si arritje faktin që pagesat do të bëhen deri në qershor 2019, edhe pse punimet duhet të kryhen deri në fund të 2018-s.

Ministri Lekaj nuk ka arritur të shpjegojë si i ka bërë kalkulimet e tij.

Ai e ka mohuar ekzistimin e një kontrate në mes të ish-ministrit, Lufti Zharku dhe kompanisë Bechtel Enka, e cila në rast të mungesës së buxhetit për pagesa, do të mund të zgjatej kontrata, por pa ndonjë kosto shtesë.

Lekaj prezantoi dokumente, që sipas tij, tregojnë se si kompania ‘Bechtel Enka’ që nga viti 2015, i është drejtuar ministrisë për pagesa, por që pagesat nuk ishin kryer sipas kërkesës. Kjo sipas tij, ka ndodhur pasi që ish-ministri Zharku i ka nisur në të njëjtën kohë edhe 267 projekte të tjera.

Ndërkohë, shoqëria civile i është drejtuar përmes një letre kryeprokurorit Aleksander Lumezi, duke i kërkuar atij të marrë masa për humbjen e 53 milionëve nga buxheti i shtetit, dhënë kompanisë Bechtel Enka.

‘Ne mendojmë se ky rast do të duhej të shërbente si alarm për Prokurorinë e Republikës së Kosovës për të hetuar mundësinë për një abuzim të parasë publike të përmasave enorme”, thuhet në letrën e dërguar nga FOL.

E shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, dhënien e 53 milionëve nga qeveria, për autostradë e ka quajtur plaçkë moderne institucionale.

Ndërsa kompania “Bechtel & Enka”, përmes një komunikate, ka thënë se vendimi i qeverisë për ndarjen e 53 milionë eurove nuk pasqyron kostot e plota të tyre që lidhen me zgjatjen e punëve, por ai është rezultat i bashkëpunimit afatgjatë me Qeverinë e Kosovës.