Lekaj i reagon Mustafës: Ka ikur koha kur keni ndikuar në drejtësi, Facebook’u ju la në shtëpi

E publikuar: 07/07/2019 21:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Debati që ka nisur gjatë ditës së sotme mes ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa po vazhdon ende.

Lekaj i është kundërpërgjigjur përsëri Mustafës përmes një postimi në Facebook, duke i thënë Mustafë se të dy janë të vetëdijshëm se po bëhen gjëra të mëdha, por shton se “nuk jam ‘zoti’ siç po më drejtoheni”.

Lekaj më tej thumbon kreun e LDK’së duke i thënë se ka ikur koha kur ka ndikuar në drejtësi.

“Ish Kryeministër, e dimë të dytë që po bëhen gjëra të mëdha, por nuk jam “zoti” siç po më drejtoheni. Ka ikur koha kur keni ndikuar në drejtësi. Facebook-u ju la në shtëpi, sepse nga ky rrjet nuk rregullohen gjërat dhe për më tepër, akuzat që po bëni nuk ju kanë hije, si njeri i përgjegjshëm, i dini adresat, nëse keni argumente”, ka shkruar Lekaj.

Kurse, në postimin e tij ryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se vetëm kriminelët mund të sillen me shpërfillje përballë situatës kur arrestohen zyrtarë të shtetit nën dyshimin se kanë shitur leje të vozitjes. Ka thënë se vajton dhe ndjen dhembje pse njerëzit po vriten në rrugë e zyrtarët e shtetit po arrestohen.

“Zoti Minister Lekaj, Une vajtoj dhe ndjej dhembje për njerëzit që po vriten në rrugë nga ata që zyrtarët e ministrise tuaj dyshohet se po ua shesin lejet e vozitjes, pa provim. Vetëm kriminelët mund të sillen me shpërfillje në këtë situatë”, ka thënë Mustafa, në një reagim ndaj deklaratave të Pal Lekajt, i cili tha se Kryetari i LDK’së di më së miri të vajtojë.

Kurse, Pal Lekajt “nuk po i vie keq” pse ka marrë sot akuza nga ish-Kryeministri i Kosovës për aferën me patentë shoferë. Ministri i Infrastrukturës është tallur me kryetarin në largim të LDK’së, Isa Mustafën. Ka thënë se ish-kryetari i Prishtinës e di një punë më së miri: vajtimin

“Ju vazhdoni e vajtoni, sepse është e vetmja gjë që e bëni mirë, nëse ju duhet ndonjë karrige na thoni”, i është përgjigjur Lekaj Mustafës.